Europe
Aplikacionet dixhitale dhe videolojërat në internet po nxisin një krizë të obezitetit në mbarë Evropën me ‘përmasa epidemike’, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Në një raport sot, OBSH tha se pesha e tepërt po shkakton rreth 1.2 milionë vdekje çdo vit në kontinent. Aplikacionet si Deliver, lojërat dhe mediat sociale janë vetëm disa nga faktorët e një ‘shoqërish të dixhitalizuara’ që ndihmojnë në nxitjen e krizës, tha agjencia.
Gjashtë në 10 të rritur evropianë janë mbipeshë ose obezë, tha OBSH, ndërsa një në tre fëmijë të moshës shkollore dhe 8 për qind nën moshën pesë vjeç janë shumë të trashë.
Britania e Madhe renditet e treta në Evropë për numrin më të madh të të rriturve obezë, pas Turqisë dhe Maltës. Nderkohe Shqiperia renditet ne vendin e 31, Mali i Zi ne vendin e 17 dhe Maqedonia e Veriut ne vendin e 24.
Ekziston frika se pandemia e Covid-it vetëm sa i ka përkeqësuar gjërat për shkak të rënies së ushtrimeve dhe rritjes së ‘konsumit të ushqimeve të pasura me yndyrë, sheqer dhe kripë’, pjesërisht e nxitur nga rritja e përdorimit të aplikacioneve për shpërndarjen e vakteve.
“Në mënyrë alarmante, ka pasur rritje të vazhdueshme në prevalencën e mbipeshës dhe obezitetit në rajonin evropian të OBSH-së dhe asnjë shtet anëtar nuk është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e ndalimit të rritjes së obezitetit deri në vitin 2025”, thuhet në raport.
Obeziteti është i lidhur me një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë komplikime muskuloskeletore, diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe të paktën 13 lloje kanceri.
OBSH paralajmëroi gjithashtu se obeziteti së shpejti mund të eklipsojë duhanin si shkaktarin kryesor të kancerit në kontinent. BW