Mostrat e foshnjës së gjetur pa jetë një ditë më parë, e mbyllur në një valixhe dhe e lënë në një dollap brenda banesës së 40-vjeçares Valmira Hasimllari, janë dërguar për t’u ekspertuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.
Mjekët ligjorë të shërbimit spitalor të Korçës kanë kërkuar përgjigje për dy çështje: moshën e foshnjës si dhe për të dalë në përfundimin nëse kemi të bëjmë me një lindje të zakonshme apo abort. Burime nga grupi hetimor thanë se fëmija ka qenë i formuar plotësisht çka tregon se kemi të bëjmë me një lindje, duke hedhur poshtë dyshimet e një aborti.
Bashkëshorti i 40-vjeçares një ditë më parë jashtë kamerave tregoi se ka dyshime të forta për atësinë. Nga ana tjetër 40-vjeçarja Valmira Hasimllari nuk është në gjendje për të dhënë sqarime rreth shtatzënisë së saj dhe lindjes së foshnjës. Kjo për shkak të problemeve të shëndetit mendor.
Ajo çfarë është mësuar ka të bëjë me asistencën që i kanë dhënë familjarët e saj pas lindjes, duke e çuar në spitalin e Korçës. Në ato momente për shkak të anemisë së theksuar dhe hemorragjisë gjatë lindjes, 40-vjeçarja ka qenë në rrezik për jetën. Një burim tha se krahas familjarëve ka qenë dhe bashkëshorti i saj ai që e ka dërguar në spital.
Ky i fundit një ditë më parë ka qenë kontradiktor në deklarimet e tij kur është shprehur se ka pasur dyshime për një abort të bashkëshortes. Nga ana tjetër burime që vijnë pranë shtëpisë së lindjes në Korçë pranohet zyrtarisht se 40-vjeçarja prej muajit Janar nuk rezulton të ketë pasur vizita mjekësore pranë këtij institucioni.
Në kushtet kur grupi i hetimit e ka të vështirë të marrë në pyetje për të gjitha rrethanat 40-vjeçaren, është në pritje të përgjigjeve të mjekësisë ligjore për të pasur një pistë të qëndrueshme për ngjarjen. Megjithatë gjatë dy ditëve oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë në pyetje familjarë të 40-vjeçares, bashkëshortin e saj si dhe fqinjët që kanë pasur kontakte me të.
40-vjeçarja Valmira Hasimllari jetonte në një lagje periferike të qytetit të Korçës me një fëmijë 15 vjeç me probleme të autizmit si dhe bashkëshortin e saj i cili më shumë qëndronte në emigracion sesa pranë familjes.
/a.r