Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë besojnë se Vladimir Putin mund t’i shpallë shumë shpejt luftë Ukrainës edhe zyrtarisht, një vendim që do t’i hapte rrugë mobilizimit të plotë të rezervistëve të ushtrisë ruse.
Vendimi mund të merret më 9 maj, në ditën që Rusia kremton “Ditën e Fitores”, ose mposhtjen e nazistëve në vitin 1945, që i dha fund Luftës II Botërore.
Zyrtarët perëndimore besojnë prej kohësh tashmë se Putin do të përdorë simbolikën e asaj dite si propagandë, për të shpalosur sukseset ushtarake në Ukrainë, përshkallëzimin e konfliktit, ose të dyja bashkë.
Deri më sot, Putin e ka quajtur pushtimin e Ukrainës një “operacion special ushtarak”, duke shmangur termat “pushtim” apo “luftë”. Me shpalljen e luftës edhe zyrtarisht, Putin do të mund të mobilizojë forcat rezerviste, që sipas zyrtarëve perëndimore janë të nevojshme për shkak të humbjeve që ka pësuar Rusia në Ukrainë. Kievi thotë se ka vrarë mbi 23 mijë ushtarë rusë, ndërsa agjencitë perëndimore vlerësojnë se kjo shifër është të paktën 10 mijë.
/a.r