Nga dita e sotme, 95% e sporteleve do të mbyllen për t’i lënë vendin shërbimeve online. Kështu paralajmëroi pak ditë më parë kreu i qeverisë Edi Rama.
Rama u shpreh se nga kjo datë do të nisë epoka e re e shërbimeve pa sportele duke përmirësuar në këtë mënyrë shërbimin e administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Shqipëria ka hyrë në elitën e vendeve më të zhvilluara për qeverisjen digjitale, dhe është ndër të parat që i ofron shërbimet me dokumente përmes platformës kombëtare digjitale.
Ky është një stacion historik i #RevolucionitDigjital ku mbarojnë radhët, zvarritjet dhe bakshishet e një epoke që ka mbërritur në hapat e saj të fundit”, shkruan Rama në rrjetet sociale
Gjithashtu prej disa ditësh në celularët e qytetarëve ka mbërritur një mesazh që i informon mbi këtë vendim të qeverisë.
“Nga data 1 Maj sportelet do të mbyllen. Shërbimet e dokumenteve vetëm në e-albania. Më shpejt, pa radhë, pa orar. 24 orë pa pushim në shërbimin tuaj. Shqipëria e para në rajon për shërbimet digjitale pa korrupsion”, thuhet në mesazhin elektronik e nisur nga kryeministria.
Sipas një raporti të BERZH, Shqipëria i ka rritur shërbimet digjitale nga 44.1% në vitin 2015 në 83% në vitin 2020 duke u ngjitur në vendin e 17 mes disa vendeve në botë për shërbimet digjitale qeveritare.
g.kosovari