Nga Ilda Lumani
Premiera “Piranjat” ishte padyshim lajmi i kësaj jave. Fakti, që Florjan Binaj, një ikonë e humorit për gati një dekadë e gjysmë në Portokalli, niste një format të ri në një televizion tjetër, e mandej krah tij këngëtarja Arilena Ara do të shfaqej si prezantuese, ishin ngacmim i mjaftueshëm për vëmendje ndaj programit më të ri, që nisi gati në fund të një sezoni televiziv në ABC News…
Dhe siç pritej, edhe ndodhi!
Kamera e fshehtë me protagonist Kujtim Gjuzi ishte lajmi i ditës, pas së cilës rashë pre dhe unë…
E pashë me copëza në fakt për shkak të impenjimeve dhe m’u duk e tmerrshme ajo çfarë i bënë! Pre e atij kurthi mund të binte kushdo!
Por, shqetësimi im për Kujtimin është zero…
Gjithsesi me kureshtjen time e ndoqa, 2 net më parë programin deri në fund.
Dhe në fund pashë një nga dramat, që më ka tronditur më shumë se çdo gjë prej kohësh.
Historia e Artan Përojt, një fshatari pranë qytetit të Tiranës, baba i dy fëmijëve, i cili kishte humbur shikimin pas një aksidenti dhe një mjekimi totalisht të gabuar, që në moshën 9-vjeçare ishte më shumë se prekëse!
Bashkëshortja e tij, dikur një vajzë e re si në një histori librash u dashurua me Artanin e verbër dhe ia doli të bëhej nuse me fustan të bardhë e të martohej me të përkundër gjithë kundërshtive të familjes… Sa shpresë për Artanin e verbër të martohej me vajzën që donte, të cilën nuk e shihte por e njihte pa e parë!!!
Fati, Zoti, apo natyra, sido që ta quani të surprizon edhe kur ti mendon se ka vetëm errësirë në fund të tunelit.
Artani u bë baba i dy fëmijëve, një djalë dhe një vajzë… E sot kërkon sy jo për vete, sepse me gjithë vështirësitë e të jetuarit pa sy, ai ja ka dalë… është përshtatur dhe di të jetojë edhe pa sy…, por ai kërkon sy për të parë djalin dhe vajzën e tij, për të parë se sa bukuroshe është (po perifrazoj të voglën e tij!)…
Shpresat janë te një nga doktorët-shkencëtar më të mirë që ne kemi, doktor Mynyr Hasani… Sigurisht, shpresat janë në prag të një mrekullie, por Artani dhe familja e tij kanë të drejtë të shpresojnë!!!
Ndërsa, ne të tjerët kemi detyrë të mësojmë të jemi pak më të ndjeshëm, pak më të drejtë, pak më të vërtetë…
Historia e Artanit kaloi thuajse shkarazi në rrumpallën tonë mediatike, ndryshe me çfarë ndodhi me “tragji-komedinë” e Gjuzit…!
Ndaj përmes këtij shënimi, doja ta sillja në fokus për të mos i kaluar ngjarje të tilla sublime me indiferencë. Por, edhe për të motivuar këdo që ka humbur optimizmin, gjithmonë është dikush që ka një vuajtje më të madhe se jotja… Ndaj le të lëmë Gjuzat dhe shokët e tyre, e të merremi me Artanët dhe të vërtetët e kësaj shoqërie! TEMA