Një çift infermierësh i kanë shpëtuar jetën një gruaje nga Shqipëria, e cila pësoi arrest kardiak gjatë fluturimit Tiranë-Bergamo.
Fati deshi që të dielën e kaluar, Marco Ferrantino dhe partnerja e tij Denisa Boçi, të ishin pjesë e fluturimit nga kryeqyteti shqiptar drejt aeroportit të Bergamos, kur papritur stujardi thërriti nëse në bord gjendej ndonjë mjek apo infermier.
“Filluam menjëherë manovrat e ringjalljes, duke përdorur ndihmën e shpejtë me asistencën e ekuipazhit. Në ciklin e dytë të manovrave, zonja filloi të merrte përsëri frymë”, tha Ferrantino.
Një situatë dramatike, që mund të kishte çuar në vdekjen e gruas, por që gjithçka shkoi ashtu siç duhet, falë përgatitjes së dy infermierëve që ndërhynë në kohë.
Ndërsa po shpëtonin zonjën, piloti lajmëroi ambulancën në tokë që të ishin gati për ta marrë me urgjencë të sëmuren.
Zonja, tri ditë para se t’i ndodhte arresti kardiak në avion, teksa ndodhej në Shqipëri, kishte pësuar goditje në tru. Të afërmit e saj vendosën ta transferonin në Itali për trajtim spitalor më të avancuar.
“Për fat të keq, ditët e fundit ka pasur raste të shumta të arresteve kardiake në fluturim”, shton infermierja, “ndoshta do të ishte me vend që të reflektohej seriozisht për problemin”.
Boçi sugjeroi që, nëse nuk është e mundur të ketë personel mjekësor në çdo fluturim, “duhet të jetë e rëndësishme të mendohet për trajnimin e duhur të stafit, në mënyrë që stjuardët të jenë në gjendje të përballen me një urgjencë siç është arresti kardiak”. TEMA