Komisioni i Rithemelimit të PD pritet të mbledhë nesër Kuvendin Kombëtar, ku do të zgjidhen strukturat. Për Enno Bozdon, ky organizim rikthen Partinë Demokratike de facto në rrugën e opozitarizmit. Duke folur për ‘Kontrast’ në Report TV ai shtoi se vetë pjesëmarrja e prej 40 mijë demokratëve në zgjedhjet për krerët e degëve të PD tregoi se shumica e bazës është me ‘Rithemelimin’.
“Mos prisni diçka të rëndësishme. Ndryshimet e elitave politike nuk ndodhin për tre muaj, por shtrati është aty. Ky Kuvend e rikthen PD-në në opozitë jo zyrtarisht, por për kauzat që propozon dhe bien dakord” – tha Bozdo.
Ai u shpreh se mes 40 mijë demokratëve që morën pjesë në zgjedhjet e degëve kishte edhe emra themeluesish që kishin vite pa u angazhuar në PD. Bozdo tha se nga sot kjo opozitë duhet të gjykohet nga aksionet e saj politike dhe çfarë prodhon.
Lidhur me reagimin e DASH për Sali Berishën, që Report TV siguroi sot, Bozdo tha se “ai është një qëndrim aspak koherent”.
“Sot në Shqipëri nuk flitet më për korrupsion nga ana e zotit Berisha, por për korrupsionin e kësaj qeverie. Atë motivacion Lulzim Basha dhe të tijët nuk e besuan në çastin kur u dha…
Të thuash që veprimet korruptive të Berishës shqetësojnë Shqipërinë dhe rajonin duket që është shkruar nga dikush që e sheh vendin tonë si një pikë uji në oqean.
Rekordet e llahtarshme të korrupsionit i kanë socialistet, mjafton të lexohet raporti i fundit. Shqiptarët janë bërë për të folur me vete dhe kanë një problem të madh që duhet të fokusohen për të sjellë rrotacionin dhe një të nesërme ndryshe” – tha Bozdo për ‘Kontrast’.