Elizabeta Imeraj, një nga prokuroret më të njohura në vend, aktualisht Drejtuese e Prokurorisë se Tiranës, del përfundimisht nga sistemi. Imeraj, e cila njihet se prokurorja e dosjeve të bujshme është shkarkuar nga detyra nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas seancave maratonë të zhvilluara si rrallë herë në procesin e vettingut.
Drejtuesja e trupës gjykuese, Ina Rama tha se Imeraj nuk justifikon pasurinë.
“Për pasurinë 2500 m2 tek ish fusha aviacion subjekti s’ka burime të ligjshme. Po ashtu edhe për tokën arë të ndodhur në Mullet s’ka burime. Për apartamentin ndodhur në Tiranë prej 66 m2 dhe shtesë subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë. Për shlyerjen e kredive të marra në 2006 dhe në 2008 subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë patur pamjaftueshmëri për shlyerjen e këtyre kredive”, tha ajo.
Sipas saj për figurën rezulton se subjekti ka mohuar faktet për ish- kunatin, duke treguar jo korrektësi të magjistratit.
“Subjekti ka treguar sjellje jo profesionale duke kontaktuar përfaqësues tw ONM qw ndiqte procesin e saj. Vendosja e kontakteve me ONM për çdo arsye e jo e duhur dhe jo ligjore. Është sjellje e papërshtatshme”, tha Ina Rama, teksa njoftoi shkarkimin.
Një javë më parë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua seanca ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, ku palët dhanë konkluzionet përfundimtare.
g.kosovari