Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozon që data e parë për mbajtjen e konferencës së parë të kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit të ri, të jetë data 4 Maj.
Në një deklaratë për mediat në përfundim të mbledhjes së grupit të PS, Balla u shpreh se ai propozon që në datë 10 Maj të mbahet raundi i parë i votimit për Presidentin e ri të Republikës.
“Kam informuar grupin tonë Parlament për një spostim me disa ditë për mbajtjen e konferencës së parë të kryetarëve. Ideja është që konferenca e parë të mbahet në datën 4 Maj, jo më vonë se 7 ditë nga 4 Maji, që unë mendoj datën 10 Maj, të ishte edhe mbajtja e raundit të parë të votimit për Presidentin e ri të Republikës. Mendoj që kjo shtyrje me 5-6 ditë i shërben të gjitha grupeve parlamentare për të qartësuar brenda vetes procesin e bisedimeve, negociatave mes grupeve parlamentare.
Kushtetuta ka përcaktuar qartë nevojën e një dialogu brenda 3 raundeve të para, mirë do ishte që të kishim të gjitha grupet parlamentare, të merrnin kohën e nevojshme për të dialoguar mes njëri-tjetrit.
Partia Socialiste hyn në këto negociata me 3 grupet parlamentare të opozitës me dëshirën që t’i japin Shqipërisë një President të të gjithë shqiptarëve”, u shpreh Balla.
/a.r