Deputeti Taulant Balla në fjalën e tij në Parlament e akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën se është përgjegjësi kryesor për vrasjen e 4 qytetarëve në protestën e 21 janarit të vitit 2011. Madje ai shkoi edhe më tej kur tha se veç vrasjeve, Berisha ka fshehur provat.
Balla tha më tej se ish-kryeministri Berisha do të paguajë me burg vrasjet e 21 janarit.
“Pasi vrau katër persona në mes të bulevardi Berisha ka fshirë serverat e kryeministrisë me pamjet e vrasjeve. Ai do të paguajë me burg për këtë, kjo është një gjë e sigurt.
Në emër të familjarëve të 4 të vrarëve mu kërkua të merrja fjalën dhe t’i kërkoja atij vrasësi që të paktën të heqë dorë nga balta e fyerjet, se jo vetëm ka përgjegjësi për vrasjen po dhe për fshehjen e provave. Sa për amanetin e katër të vrarëve, pjesën e parë e kemi vërë më 23 qershor, se nxorrëm atë vrasës nga zyra. Pjesa e dytë e amanetit është që Sali Berisha të shkojë në burg, dhe sigurisht që do të shkojë në burg për vrasjet e 21 janarit”, tha Balla.