Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, që po ndërtohet pranë Qytetit Studenti, do të zgjidhë përfundimisht problemin e mësimit me dy turne në Njësinë 2. Kjo shkollë është pjesë e paketës së 40 shkollave të reja që i janë shtuar ose po i shtohen Tiranës, të cilat do të hapin dyert në nisje të vitit të ri shkollor në shtator.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet për ndërtimin e shkollës dhe shtoi se godinat e reja do të bëhen gati në verë, për t’u hapur në shtator. Ai tha se fokusi do të jetë edhe në shkollat në periferi të qytetit, si shkollat te zona e Freskut apo te “5 Maji”. Shkolla “Bashkim Fino” do të ketë 30 klasa me nga 30 nxënës.
“Ftesa ime është të fillojmë të mendojmë se sa kohë u harxhojmë fëmijëve tanë, duke i çuar te shkolla “Kosova”, “Osman Myderizi” apo te shkolla “Mihal Grameno”. Në momentin që kemi një shkollë të re si kjo, me kushte optimale për mësim, me mësuesit më të mirë të portalit, atëherë nuk ka asnjë merak për ta sjellë fëmijën të mësojë këtu. Kemi cilësi të mirë të ndërtimit, por kemi një cilësi të jashtëzakonshme të mësuesve,” u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku tha se rindërtimi apo ndërtimi nga e para i shkollave të reja, është një histori suksesi në Tiranë.
“Në Tiranë ka ende shumë gjëra për t’u bërë mirë, por me ndërtimin e shkollave jemi të treguar jashtëzakonisht të vëmendshëm. Është një histori suksesi! Sot kam vetëm mirënjohje për stafin që ka punuar sepse ka qenë një kohë e vështirë me tërmetin, pandeminë, e me krizën që po ndodh, por fakti se kemi qenë të fokusuar dhe po i kapim në afat për këtë verë, them se në zgjedhjet e ardhshme vendore do të kemi prapë tema për të folur, por një gjë është e sigurtë, nuk do të flasim më për shkollat me dy turne. Kjo temë për të cilën kemi folur për 30 vjet, më në fund u zgjidh, dhe kjo paketë e 40 shkollave për Tiranën është përgjigja më e mirë ndaj të gjithë atyre që mundohen të fusin politikën kudo. Hapja e “Samiut”, hapja e “Bashkim Finos”, hapja e shkollës “Kennedy” dhe e “Nënë Terezës” në Kodër Kamëz, hapja e shkollës “Kiço Blushi” te “5 Maji”, dhe hapja e shkollës te “Fresku”, e shumë të tjera, janë dëshmi se kemi ndërtuar jo vetëm për të kapur ritmin e Tiranës, që është rritur këto vite, por kemi ndërtuar për të parashikuar këtë rritje edhe për disa dekada të tjera,” u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj nënvizoi një fakt mjaft të rëndësishëm, siç është ndërtimi i godinave që sigurojnë ngrohje të mjaftueshme, për kursim maksimal të energjisë elektrike.
“Në kontekstin e rritjes së çmimit të energjisë, naftës dhe bazës materiale, e veçanta e investimeve të Bashkisë së Tiranës janë ndërtesat e qëndrueshme. Pothuajse çdo ndërtesë e Bashkisë së Tiranës është me karbon zero, do të thotë që nuk ndot mjedisin, janë të veshura me system kapotë, me teknologjitë e fundit, që e çojnë efiçiencën energjetike në maksimum. Nëse bashkia vetë ndërton në këtë mënyrë, pra me zero emetim karboni, me zero ndotje, atëherë do duhet që të përshtaten të gjithë. Jetojmë në një kohë ku çmimi i energjisë dhe çmimi i naftës në bursë nuk varen prej nesh. Ajo që varet nga ne janë vendimet sot. Nëse vendimet sot i kemi që shkolla është autosufiçente dhe e ka konsumin e energjisë në minimum, nuk e humbet energjinë e ngrohjes apo të ftohjes, do të thotë që po ndërtojmë qytetet e së ardhmes,” nënvizoi ai.
Shkolla Bashkim Fino do të ketë një kapacitet prej 1100 nxënësish, duke përfshirë dhe 200 fëmijë në kopësht, 6 laboratore, bibliotekë si dhe 2 palestra.
g.kosovari