Nafta në botë sot kushton më lirë edhe se vetë fuçia që e mban atë. Aktualisht çmimi ka shkuar në 20 dollarë për fuçi, por pritet të shkojë deri në 10 dollarë, duke e bërë fuçinë më të shtrenjtë.
Lajmi kryesor i BBC ishte ulja e çmimit të naftës dhe tërmeti që ka shkaktuar në bursën ndërkombëtare.
Bursat kryesore në botë e kanë reflektuar këtë dhe ekspertët thonë për “Der Spiegel” se kjo mund të provokojë një tjetër krizë financiare, njësoj si ajo e vitit 2008, plagët e së cilës po ndjehen akoma.
Ndërkohë, nafta në bursa ka rënë në nivelin e 28 dollarëve për fuçi.
Ulja pritet të vazhdojë, pasi në treg rikthehet Irani pas heqjes së sanksioneve.
“The Mirror” thekson se është ironik fakti se tashmë nafta kushton vetëm 28 dollarë, ndërkohë që vetëm fuçia bosh, ku depozitohet ajo, kushton më shtrenjtë.
Jo vetëm kaq, por tërmeti mund të jetë gjeopolitik, pasi mund të provokojë kriza në disa vende të paqëndrueshme.
Shtete si Algjeria, Libia dhe Nigeria mund të përballen me trazira dhe protesta, pasi varen shumë nga të ardhurat që vijnë nga nëntoka.
Edhe Venezuela e Ekuadori rrezikojnë diçka të tillë.
Ata që janë akoma më largpamës, flasin për një burim të shterueshëm, që po shfrytëzohet pa asnjë kriter mase në këtë kohë.
Por pas gëzimit fillestar, njerëzit kanë nisur të komentojnë me shqetësim në Twitter këtë fakt.