Ish-kryeministri Berisha deklaron se kryeministri Rama ka prekur fondin rezervë të buxhetit për të paguar shkrimin në “The Economist”. Sipas tij, me këtë akt Rama ka dhunuar ligjin.
Berisha publikon edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 7 janar.
“Të dashur miq, Edi Rama nuk njeh as ligj e as normë për të plotësuar tekat dhe dëshirat e tij personale me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kështu, ai në mbledhjen e parë të qeverisë pas Vitit të Ri, shtriu dorën e tij të zezë dhe me një vendim të Këshillit të Ministrave preku fondin rezervë të buxhetit 2016 për të paguar The Economist për shkrimin e vetëlavdërimit të tij që botoi kundrejt pagesës në këtë revistë.
Këtë akt të pashembullt antiligjor Rama e ndërmori me VKM në datën 7 janar, pikërisht ditën kur vendi u përball me situatën më të jashtëzakonshme të përmbytjeve dhe qindra familjë ishin nën terrorin e ujit.
Kjo është hera e parë në historinë e financave publike të vendit, që fondi rezervë i një buxheti preket në javën e parë të vitit dhe aq më tepër për vetëlavdërimin e kreut të ekzekutivit të vendit. Ky është një akt i turpshëm, abuziv dhe cinik që dëshmon se ky njeri i sëmurë nuk i njeh vetes asnjë kufi në shpërdorimin për qëllime personale të pushtetit të tij”, shkruan Berisha në Facebook.