Në Ukrainë është dita e 59-të e luftës, ndërsa pashkët ortodokse duket se nuk do të ndalin forcat ruse, pavarësisht apeleve të vazhdueshme.
Synimi i Moskës është që të marrë kontrollin e Donbasit dhe jugut të Ukrainës. Ndërkohë fotot satelitore kanë zbuluar praninë e varreve masive në Mariupol.
Autoritetet lokale kanë bërë publike pamjet e një varri masiv në fshatin Vynohradne me gjatësi rreth 45 metra ku mund të varroseshin deri në 1 mijë civilë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi dhe Putin nuk do të ndalet pasi dëshiron të pushtojë vendet e tjera.
Në fjalimin e tij mbrëmjen e kaluar, Zelensky tha: “Pushtimi i Ukrainës është vetëm fillimi, ata duan të pushtojnë edhe vende të tjera. Ne do të mbrohemi për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të thyer këtë ambicie të Rusisë”.
Ndërkohë BE po përgatitet të zbatojë paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Moskës javën e ardhshme. Masat e reja mund të përmbajnë ndalimin e importit të naftës, edhe nëse po punohet për modalitetet. Gjithashtu është planifikuar zgjerimi i listës së bankave ruse të përjashtuara nga sistemi Swift.
/b.h