Pa u përfillur kërkesat kushtetuese të Kosovës, Haga është përcaktuar si vendi ku do ta ketë selinë faktike Gjykata Speciale, e cila do të trajtojë krimet që pretendohet t’i kenë kryer pjesëtarë të UÇK-së në periudhën 1998-2000, shkruan Koha Ditore. Përcaktimi i selisë jashtë Kosove nuk ka mbështetje në ndonjë marrëveshje ndërkombëtare. Nëpërmjet një komunikate shtypi, Holanda ka bërë të ditur të premten se ajo do të jetë nikoqire e kësaj gjykate, që formalisht bën pjesë në sistemin gjyqësor të Kosovës. Për selinë, por edhe për aspekte të tjera të gjykatës, autoritetet kosovare dhe ato holandeze kanë negociuar prej kohësh. E kanë bërë, madje, edhe një draft-marrëveshje.