Njeriu që fundosi Aldo Baren me dëshminë e tij nuk bën më pjesë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe tani po përballet me një numër pengesash që i kanë vështirësuar jetën. Gazeta Shqiptare shkruan se Arben Kicja dhe familja e tij janë braktisur dhe enden dyerve të institucioneve në kërkim të identitetit. Në momentin kur katër pjesëtarët e familjes u nxorën nga programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, Arben Kicjes, bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, u janë marrë dokumentet me identitetin e ri që kishin marrë për shkak të statusit që gëzonin, po ndërkohë nuk u janë kthyer dokumentet e vjetra me identitetin e tyre të vërtetë. Në këto kushte, dy fëmijët e familjes Kicja kanë mbetur pa shkollë, pasi diplomat që kanë marrë në shtetin X ku qëndruan “të fshehur”, rezultojnë të jenë me identitetin e ndryshuar, që fëmijët morën në momentin që u futën në programin e mbrojtjes, identitet që nuk figuron në institucionet shqiptare.
Ai thotë se ndihet i braktisur dhe i tradhtuar nga shteti.
“Ne u braktisëm nga shteti. U lamë në mëshirë të fatit. U “tradhtuam”. Por, përtej të gjithave, frikës për jetën që po përpiqemi ta kalojmë, nuk po arrijmë dot të integrojmë fëmijët këtu në Shqipëri. Prej muajsh endemi nëpër dyert e institucioneve, me shpresën që vajza dhe djali të regjistrohen në shkollë dhe të vazhdojnë jetën e tyre normalisht. Por, nuk po arrijmë dot t’i regjistrojmë. Në momentin kur u përjashtuam nga programi i mbrojtjes, mua, gruas dhe dy fëmijëve na morën dokumentet e identitetit. Sigurisht, në ato dokumente ne nuk figuronim me emrat tanë të vërtetë, pasi identiteti na u ndryshua kur u dërguam në shtetin pritës. Por, më e keqja është se nuk na kthyen as dokumentet e vjetra, pra pasaportat me identitetet tona të vërteta. Ndaj ne kemi mbetur pa dokumente identifikimi dhe për rrjedhojë nuk mund të regjistrojmë fëmijët në shkollë. Gjithashtu, nuk mund të bëjmë asnjë veprim tjetër, qoftë edhe të shkojmë te mjeku”.
Kicja shton se për shkak të pamundësisë pë’r t’u regjistruar, djali i tij shkon vetëm si dëgjues në shkollë, ndërsa për regjistrimin e vajzës në universitet ka një letër nga ministrja Lindita Nikolla, por ende nuk është regjistruar.
Dëshmitari kundër Bares kërkon që familjes së tij t’i kthehet identiteti.
“Ne duam që shteti të mos na lërë në mes të rrugës. Jemi të bindur që asnjëherë nuk kemi për t’u kthyer në programin e mbrojtjes. Por, ama të na japin një identitet! Të kenë mundësi fëmijët të shkojnë në shkollë. Ne të integrohemi”.
Balkanweb