Kryeministri Edi Rama ka debatuar sot gjatë me deputetin demokrat, Ervin Salianji gjatë fjalimit të mbajtur në Parlament për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.
Rama tha se procesi i propozimit të tre emrave me zarf nga secili deputet socialist është një proces normal, por sipas Salianjit në administratën e shtetit sot çdo gjë zgjidhet me zarf, prandaj edhe kreu i ri i shtetit do të dalë përmes zarfit.
Debati i plotë
Edi Rama: Doni të kontribuoni për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, bujrum. Nuk kemi ne arsye fare që ta bëjmë këtë që të dukemi ndryshe. Ne duam të dukemi ashtu siç jemi. Në qoftë se do ta kishim ne sot bindjen për një kandidaturë që do të na bindte plotësisht ne do ta kishim bërë publike dhe as nuk do u pyesnim fare. Por nuk e kemi. Doni të jepni një kontribut, po u themi po e presim. Ju keni arritur në pikën që vini këtu merreni me zarfat e një procesi konfidencial siç është një proces votimi.
Ervin Salianji: Në këtë vend çdo punë me administratën tënde zgjidhet me zarf, tani dhe Presidentin kërkon ta zgjedhësh me zarf, të është kthyer në instikt.
Edi Rama: Ju na tregoni ne hipokrizinë kur ju nxorrët 5 mijë vetë në 2 mijë karrige. Unë nuk e kuptoj ku e gjeni ju këtë kurajo. Si e diskutoni më tani për hipokrizira dhe vërtetësira.
***
Edi Rama: Ku e keni atë që mungon këtu. A ia kisha thënë apo nuk ia kisha thënë? Sa herë ia kam thënë kur ishit të gjithë bashkë. Tani po iu them prapë mos shkoni pas të vdekurit. Si me të vdekurin, si pa të vdekurin ne nuk na mundni dot. Ju jetoni në mohim. Ju nuk shihni realitetin. Do bëheni aq qesharakë dhe asnjëherë nuk do ta kuptoni dot. Ne këtu nuk jemi për partitë tona, partitë tona janë për vendin tonë dhe ju jeni pjesë e vendit tonë. Mos ia lini Shqipërisë gurin në qafë të lyer bardhë e blu.
Ervin Salianji: Nese nuk ekziston opozita politikisht pse merresh ti? Ke marrëveshje me ndonjë ketu na e thuaj…
Edi Rama: Unë merrem se opozita duhet per vendin.
***
Edi Rama: është qesharake që ju flisni sikur jeni me imunitet nga amabasada amerikane dhe vini këtu na bëni leksione. Këto leksione mund ti bëni ju, gënjeni veten. Që të jemi shumë të qartë. Unë e kuptoj që diku do kapeni, kapuni pas flamurit të PD-së, se flamurin amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. Kapuni pas flamurit të PD-së dhe mundohuni ta ngrini se e keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Që nuk dihet kush i tund dhe nuk dihet kush i shkund.
Ervin Salianji: Të shqetëson standardi i tyre, po na kërkon t’i bëjmë luftë bashkë Amerikes këtu, si imperialistë, se Amerika e keqja në botë… kupton ku ke perfunduar…. Thua që raporti i DASH copy paste sikur të jetë administrate.
Edi Rama: Mos na tregoni ne se nga kush duhet të distancohemi. Mos na e qani hallin as për marrëdhëniet me Amerikën, me Europën dhe shqiptarët. Janë tre marrëdhënie që për fat të keq të këtij vendi dhe për shkakun tuaj janë ekskluziviteti ynë./m.j