Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka qenë tepër i ashpër me drejtuesit e policisë, në lidhje me marrëdhëniet e tyre me qytetarët. Gazeta Panorama shkruan sot se ministri, larg syrit të medias, i ka akuzuar shefat e komisariateve si arrogantë në lidhjet e tyre me njerëzit. Akuza është bërë në analiz[n vjetore të policisë.
E vetmja strukturë që është vlerësuar nga ministri ka qenë njësia “Shqiponja”, efektivët e së cilës edhe i ka falënderuar për përkushtimin që tregojnë çdo ditë, qoftë me rezultatet e punës, qoftë në lidhje me komunikimin me qytetarët. Pas përfundimit të analizës, që u pasqyrua para mediave nga drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj, takimi ka vijuar pa praninë e gazetarëve dhe kameramanëve.
Kjo për arsye se ministri nuk mund të largohej pa u thënë disa fjalë drejtuesve të strukturave të Policisë së Tiranës, por në mënyrë “private”. Panorama ka mësuar se tonet e Tahirit kishin qenë të larta me disa prej drejtuesve që ishin prezentë në sallën e Hotel Tiranës, ku u zhvillua analiza.
Veç kritikave për disa rezultate jo të mira, kryesisht sa u përket krimeve kundër pronës, vërejtjet e Tahirit kishin të bënin edhe me etikën dhe sjelljen e shefave të komisariateve me qytetarët.
“Pse jeni shefa të një komisariati, kjo nuk do të thotë që të silleni si arrogantë me qytetarët, që kanë një hall të caktuar. Nëse një person paraqitet pranë komisariatit dhe kërkon t’ju takojë, duhet të zbrisni dhe ta dëgjoni çfarë halli ka. Jo t’i flisni gjithë arrogancë dhe ta lini të presë me orë të tëra aty”, mësohet t’u jetë drejtuar Tahiri shefave të rajoneve.
Duket se pritshmëritë për reduktimin e numrit të vjedhjeve kanë qenë më të larta për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Ndonëse rezultatet për vitin 2015 flisnin për ulje të numrit të krimeve kundër pronës dhe rritje, edhe pse minimale, të zbulueshmërisë, ndoshta nga ministri pritej më shumë se kaq.
Kjo ka qenë një tjetër arsye pse ai i ka kritikuar drejtuesit e komisariateve të Tiranës, duke u thënë se nuk kishin punuar aq sa duhet për të mbrojtur pronën e qytetarëve. Në fund, ai ka paralajmëruar ndryshime të të gjithë drejtuesve të rajoneve në kryeqytet, që sipas tij do të ndodhin shumë shpejt.
Pritet vetëm vënia në zbatim e strukturës së re të Policisë për të nisur edhe ndryshimet që ai ka paralajmëruar. Panorama shpjegon se tonet e larta të ministrit të Brendshëm kanë vijuar për disa minuta dhe në fund ai ka kërkuar veç performancës së lartë, edhe etikë në komunikimin me qytetarët.
Panorama