Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka folur pas përfundimit të takimit konsultativ me përfaqësuesit e opozitës për zgjedhjen e presidentit se konsultimet do të bëhen vetëm me grupet parlamentare.
“Kemi dakordësi që presidenti të mos jetë i njërës palë apo i palës tjetër. Unë di që kemi diskutuar për kalendarin. Mediu ka bërë një kërkesë që opozita të ketë një grup negociator të unifikuar. Nuk është kjo çështja që më takon mua. Ajo që ne duam është që procesi të zhvillohet brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe mes grupeve parlamentare.
Kushtetuta përcakton një numër prej 20 deputetësh për të firmosur propozimin për një kandidat. Këto duhet të funksionojnë në një kohë me njëra tjetrën. Duhet të ecim me grupet parlamentare. Nëse opozita bie dakord të ketë tre përfaqësues, kjo është vendimmarrje e tyre. Duhet të presim edhe komunikimin e kreut të grupit parlamentar të PD” tha Balla.
Ai u shpreh se asnjë emër i propozuar nuk do të bëhet publik. “Unë nuk dua të paragjykoj sot procesin. Unë e kam thënë që mund të zgjedhim një president apo presidente të republikës me shumicë 3/5. Ne duam një president për të gjithë shqiptarët. Në asnjë moment nuk do bëjmë publik emrat e propozuar. Ne respektojmë një element shumë thelbësor. Është e padrejtë të lexojmë një listë me shumë emra”, u shpreh ai.
Ai tha se Shqipëria është më lart se kurrë në proceset historike duke qenë anëtare e Këshillit të sigurisë. “Në këto kushte, kur Shqipëria është më lartë se kurrë në proceset e veta historike, Shqipëria sot është anëtare e Këshillit të Sigurisë. Është një arritje historike. Shqipëria sot është një faktor i rëndësishëm në rajon. Kemi dakordësuar me 2 prej 3 grupeve të opozitës. Shpresoj që brenda kësaj jave, por në fillim të javës së ardhshme të kemi një takim me kryetarin e grupit të PD-së.
Të kemi negociuar minimalisht kalendarin. Unë më vjen mirë që i lexoni një pjesë të amendamenteve të propozuara nga zoti Lega. Ajo që mund tj’u them është që raporti dhe ajo që do shoqërohet më pas është shumë e qartë, Shqipëria i ka përmbushur kriteret për integrimin europian. BE duhet të zgjohet dhe të hartojë një axhendë të re anëtarësimi të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Konteksti i ri i shkaktuar nga agresioni rus, duhet ta bëjë BE-në të reagojë”, deklaroi Balla.
/b.h