Nga Frrok Çupi
-A do të ketë jetë pas PD-së?
(Sepse PD po shkon drejt shkrirjes ose shpërndarjes).
Ka dyshime se nuk ka jetë atje përtej PD-së, sidomos tani që fjalët dhe retë nuk na sjellin gjë tjetër mbi planetin tonë. PD këtu, PD atje, PD djathtas, PD majtas…, zgjedhje, luftë, kokë-dashi, gaz lotsjellës, armiq, Amerikë, Soros, Blinken, Ramë, Ramë…
-A është e vërtetë se PD quhet planet më vete
-Po të ishte planet më vete, e zgjidhim kollaj, ne ikim në një planet tjetër e jetojmë pa PD
-Po presidenti, ça do të bëjë në 25 korrik?, do të marrë LSI-në. A është LSI si sfurk, si kmesa?; apo ça force ka?
-Do të vdesim të gjithë kur Berisha dhe Meta do të bëhen së bashku; të dy me dy armë: PD dhe LSI?
…Skena jonë është mbushur vërtet me tragjizëm e pisllëk, por është edhe absurd. E tëra më sjell në mendje bisedat e gjata, thuajse në ‘puzzle’ mes një shkrimtari norvegjez, Gaarder dhe mbesës së tij 11 vjeç.
Hilda, mbesa e shkrimtarit, bënte pyetje e pyetje…, pyetje pa fund. Sa më shumë gjë të pakuptimtë shikonte, më shumë pyetje dhe arsyetime bënte Derisa një ditë e pyeti: Po shumëkëmbëshi, a arsyeton?
-A arsyeton shumëkëmbëshi?… Apo veç njeriu?
Jostein Gaarder, fiolozof dhe shkrimtar, e kishte të pamundur t’i mbushte mendjen mbesës mbi provat e Frojdit rreth çudisë së mendjes njerëzore, sidomos mbi frymëzimin, mbi vetëdijen dhe pavetëdijen. Ajo e kishte të pamundur të kuptonte.
Ashtu siç e kemi të pamundur të kuptojmë çfarë po bëjnë këta. Para tetë muajsh, në shtator, u kapën për Amerikën. Sot e kësaj dite shqyhen për fyti po për Amerikën. Kanë lëshuar buritë e brirët se kush ka më shumë njerëz (dmth buburreca njerëzore) se tjetri. Njëri thotë kam marrë selinë, tjetri ‘nuk të jap vulën’. Gjykata bën përshesh për të dy palët. Ilir Meta, presidenti, qëndron në ‘qymez’ dhe i bie bilbilit në lojën e këtyre: ‘Eeej, mos e prekni Saliun…, ti Lul tradhtari mos e prek!’. Po ky për vete çfarë pret? Të dalë nga zyra dhe të marrë PD-në. Apo të sulmojë Amerikën?…
Një zot e di…
Shumë njerëz, jo vetëm një fëmijë, e kanë të pamundur të kuptojnë kiminë e mendjes dhe bien në situata të turbullta. Sidomos kur këto që bëjnë këta nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, as me politikën, as me dobinë e vendit, madje as me trurin normal. Sapo kalon një situatë, afrohet tjetra. Situata e parë që bënte sikur nuk kishte qenë, zhduket. Para dy ditësh kishin 32 deputetë pro kryetrarit të ri, dje mbetën 28, nesër s’i dihet; ca kohë më parë i nxorën të gjithë nga salla e Parlamentit si t’i nxirrnin në kullotë…, pastaj thanë ‘jo, nuk dolëm vetë’. Para ca kohësh Iliri guxoi të ‘kapte për veshi’ amerikanët e qeverisë, tani njerëzit po i kërkojnë paratë e miliona dekoratave. Me dekoratat e Ilirit dhe me fishekët e Saliut ka ndodhur që njerëzit të kenë në duar me miliona….
Absurd!
Kush e kuptoi situatën e parë? Askush. As të dytën, me sa shihet.
As mbesa e filozofit nuk do ta kuptonte dot. Shiko si do ta përjetonte 11 vjeçarja, sipas librit të filozofit
Hilde pyet:
“Po atëherë, çfarë kërkojnë këta?”
Filozofi Gaarder:
“Kërkojnë të kenë nga një parti secili, si armë për t’u mbrojtur”.
Hilda:
“Po mirë, t’i mbajnë… Armë? Cilin do të vrasin?”
Gaarder:
“Do të vrasin të parën Amerikën. Pastaj prokurorin… Pastaj policinë që do të vijë t’u marrë pasurinë e vjedhur.
Hilda:
Pasuri të vjedhur? Ça janë këta, indianët e filmit ‘1883’?…
Edhe Gaarder e kishte kaq të pamundur të merrej vesh me mbesën. Atëherë ç’të bënte?
Filozofi mendoi se mund t’ia dilte me anë të një tregimi të thjeshtë; tregim mbi shumëkëmbëshin.
“Ishte një shumëkëmbësh që kërcente në mënyrë ‘të përkryer’. Kërcente me të gjitha këmbët. Kur kërcente, rreth tij mblidheshin të gjitha kafshët e pyllit. Sa më shumë mblidheshin, shumëkëmbëshit i vinte më shumë zell.
Por jo të gjithëve u pëlqente, sigurisht.
Vinte një moment që e tepronte dhe duhej ndaluar.
-Si ta ndalonin?, pyet Hilde.
-Ja ta them. Thithëlopa po mendohej si të bënte që shumëkëmbëshi të pushonte….T’i thoshte ‘mos kërce’, do të bënte të kundërtën; madje mund të lëshonte edhe akuza për xhelozi. As se ‘ke kërcim koti’ nuk i thoshte dot.
Pas kësaj i punoi një reng: I shkroi një letër ku e pyeste:
“A është e vërtetë se ti, shumëkëmbësh, lëviz këmbën e majtë nr. 228 e pastaj këmbën e djathtë nr. 59?…Apo e fillon kërcimin duke lëvizur këmbën e djathtë nr. 26 e pastaj lëviz këmbën e majtë nr. 499?
Pres përgjigje/ Të fala: Thithëlopa”
Shumëkëmbëshi lexoi letrën dhe nisi të mendohet se çfarë bënte kur kërcente. Që atë ditë u ngatërrua kaq shumë në numërime, saqë nuk kërceu më kurrë.
-Këtë e ka shpjeguar Frojdi, i tha mbesës filozofi.
-Çfarë ndodhi?- pyeti Hilde
-Ndodhi që arsyetimi mbyti fantazinë,- u përgjigj Gaarder
Bukur Frrok. Të uroj shëndet..