Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë më shumë burime financiare për të përballuar Emergjencat Civile në territorin e tyre. Ministria e Mbrojtjes u ka akorduar bashkive një fond total prej 10 milionë dollarësh.
Ky fond u është shpërndarë të 61 bashkive të Shqipërisë, bazuar në peshën specifike që zë buxheti i çdo bashkie ndaj totalit të buxhetit të të gjitha bashkive. Sipas Ministrisë, ky fond ndihmon bashkitë në përmbushjen e detyrimeve të tyre në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.
Megjithatë, ky është vetëm fondi që u akordohet bashkive nga buxheti i shtetit, pasi sipas ligjit njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të planifikojnë fonde të tjera shtesë nga nga të ardhurat e veta vendore, nga fondet që u vijnë drejtpërdrejt nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare, huamarrja vendore, donacionet etj.