Gjykata e Tiranës dënon me 5 vite burgim Matilda Bilalin, gruan e Arben Bilalit, ish-policit i cili u ekzekutua në Tiranë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i reduktohet në 3.4 vite dhe konvertohet në shërbim prove.
Matilda Bilali sipas prokurorisë tentoi në Janar 2020 t’i jepte ndihmë vjehrrës të udhëtonte drejt Britanisë së Madhe, e cila vendosi të largohej nga vendi pas vrasjes se 3 djemve.
E moshuara Kumrije Bilali u ndalua ne Rinas dhe ndërsa ishte nën hetim u vetëhelmua te varret e djemve dhe ndërroi jetë. Arben Bilalit më herët se të ekzekutohej i ishin vrarë dhe dy vëllezër të tjerë. Krahas Matilda Bilalit gjykata ka dënuar me shërbim prove edhe 3 oficerë të tjerë, Liri Sinakoli, Aranit Dibra dhe Arta Mamani.
Për vrasjen e 3 vëllezërve Bilali nuk ka asnjë të dënuar dhe vijojnë të mbeten krime pa autor. Për vrasjen e Arben Bilalit u arrestua “i forti i Myslim Shyrit”, Gjergj Cukali, por akuza për të u pushua pasi prova e ADN u cilësua e papërdorshme.
/a.r