Sipas Kuvendit, në llogarinë e deputetit është depozituar shuma totale e muajit ku nuk janë përfshirë dietat, duke sqaruar se ajo çka është publikuar ishte një lapsus.
“Në lidhje me deklaratat e deputetit Sali Berisha, Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se në llogarinë bankare të deputetit Sali Berisha, për muajin shkurt është depozituar shuma totale e muajit ku nuk janë përfshirë dietat.
Në kolonën dieta është një lapsus në publikimin online, pasi siç mund të verifikohet nga kjo faqe, totali i shumës së derdhur në llogari të deputetit nuk përmban dietat”, thuhet në reagimin e Kuvendit.
Me heret Berisha ka reaguar në faqen e tij në “Facebook” pas lajmit në Panorama për dietat e përfituara nga deputetët, ku ishte njohur se parlamenti kishte derdhur në llogarinë e tij si dieta, shumën prej 75250 lekësh për muajin shkurt.
Ai deklaroi se i refuzon këto dieta dhe nuk do pranojë asnjë deri në fund të mandatit pasi ai është deputet i Tiranës dhe se lëvizjet jashtë qarkut i përballon me të ardhurat personale./m.j