Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, një mjet tip autobus që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin Sh. V., 55 vjeç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, në ventilatorët e kondicionerëve u konstatuan të fshehura 16.500 euro, shumë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, shtetasi Sh. V., 55 vjeç, banues në Elbasan.
/a.r