Nga Ylli Pata
Një vit më parë Partia Demokratike humbi zgjedhjet parlamentare për herë të tretë radhazi, një zhvillim që do të sillte një bing-bang politik, për çdo parti apo lëvizje politike në çdo vend të botës. Siç ka ndodhur realisht sa herë ky zhvillim jo aq i shpeshtë politik, pra humbja për here të tretë ka qëlluar në shtetet europiane a botën Perëndimore.
Por, krejt çfarë është parë në këso rastesh, prej një viti, kryetema e politikës shqiptare dhe më gjerë- është opozita, Partia Demokratike, rrymat dhe njerëzit që e përbëjnë këtë vector politik të politikës shqiptare.
Kurrë më parë, nuk ka qenë mundësia për tu promovuar për tu shfaqur, për të propozuar, për të sjellë ide apo organizuar e projektuar qarqe e grupe që janë në pjesën e boshtit politik që i takon së djathtës.
Natyrisht shumë gjëra nuk kanë ndodhur, shumë shanse nuk janë kapur, mjaft të tillë janë hedhur poshtë, siç ka ndodhur rëndom në historinë politike të Shqipërisë.
E për këtë vit, ka një hapësirë mjaft të madhe e të virgjër, ku mund të analizosh çfarë u bë e çfarë duhej të bëhet, në mënyrë që të krijohet ideja se si pas rastit të njëmiliontë: pësimi të bëhet mësim e gjëra të tilla.
Po si erdhi ky rast, si u hap kjo rrugë ku opinion publik të jetë i zënë në pjesën më të madhe të tij, me atë çfarë ndodh e ç’duhet të ndodhë në Partinë Demokratike?
Erdhi vetëm nga një vendim i rëndësishëm që u shpall më 19 maj 2021, e që ishte shpallja si “person a non grata” i Sali Berishës nga qeveria e SHBA-së për “korrupsion domethënës, minim të demokracisë”.
Pas atij vendimit, SHBA, me anë të një qëndrimi të përshkallëzuar ka kërkuar nga PD-ja që të shkëputet nga e shkuara, të mos përfshijë Berishën në udhëheqje, apo edhe në skuadrën politike të parlamentit.
E pas këtij qëndrimi shumë të fortë nga qeveria e vendit më të fuqishëm të botës, Partia Demokratike, opozita shqiptare, politika, shoqëria dhe opinion publik ka hyrë në një rrugë të re të pakthyeshme.
Rrugën, ku tashmë secili aktor e faktor zgjodhi e do të zgjedhë kahjen nga do të ecë dhe do të ndjekë. Një rrugë që ka sjellë një troshitje shumë të madhe në partinë që Sali Berisha ka udhëhequr për mëse 30 vjet direkt e indirekt.
Parti që lindi si lëvizje opozitare, e vijoi si forcë qeverisëse që shkaktoi traumën më të madhe siç ishte 1997-a. E më pas shkoi në opozitë, një opozitë e egër e radikale, por hera herës edhe politike me lëvizje të befta, që e risolli në pushtet në vitin 2005, e ku qeverisi për 2 mandate rresht. Më pas humbi thellë e prej asaj dite është pjesë e një opozite që po përjeton kalimin e “kufirit” 8 vjeçar që u duk se ishte aksiomë në politikën shqiptare.
Vendimi i SHBA vuri në provë PD-në, në radhë të parë, e që siç tashmë e dimë, patëm një proces të vrullshëm pro e anti-Berisha, që na ka sjellë në situatën aktuale-e cila nuk ka përfunduar e do të sjellë zhvillime edhe më të rëndësishme.
30 prilli apo vendimi i Gjykatës së Apelit nuk janë një deadline por stacione të një procesi, që si thelb e bosht ka krijimin e një opozite të re të qendrës së djathtë në vend, si rezultante e këtij evolucioni.
E ky evolucion me shenjat e një revolucioni ka ndarë si me thikë deri tani një vijë sjellje e ka qenë provë se si do të reagojnë faktorët politikë në Partinë Demokratike, me një fjalë njerëz që kanë qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimeve politike të saj ndër vite.
Momenti i shpalljes së vendimit ishte mjaft traumatik, ku për një kohë heshtën të gjithë e nuk bzau kush. Por në momentin kur Sali Berisha e diversifikoi lojën, duke ofruar edhe ndryshime në PD, pati një lineim politik të disa palëve për tu futur në lojë. Pamë që edhe mjaft emra që kishin qenë kritikë ndaj Berishës, që e kritikuan ashpër atë në korrik kur mbështeti Lulzim Bashën për kryetar, pas 9 shtatorit u bënë me të. Pamë edhe drejtues të rëndësishëm të PD-së si Besnik Mustafaj e Jozefina Topalli, të cilët u renditën në krah të Sali Berishës. Siç pati edhe deputetë si Grida Duma, Saljanji, apo edhe të tjerë që patën një ndryshim qëndrimesh, nga ekstremi në ekstrem: në fillim me Bashën e më pas u afruan me Berishën.
Të gjitha këto zhvillime, janë realisht një revolucion politik në Partinë Demokratike, e cila nuk kishte përjetuar procese të tilla vibruese për vite e vite. Çdo traumë politike në PD ka qenë shizëm, ku ata që ishin kritikë ndaj Sali Berishës u larguan duke formuar parti të reja. Që me Genc Rulin, Dashamir Shehin, genc Pollon, Tritan Shehun etj etj. Në 2005 pati një process invers, ku të gjithë u rikthyen në PD, si pasojë e ardhjes së Sali Berishës në krye të qeverisë. Madje u kthyen një nga një që nga Arben Imami e deri te Neritan Ceka, natyrisht me kushte e realitete të ndryshme, sipas dëshirave të të madhit e mundësive që paraqiteshin për të tjerët.
Por ky proces që është provokuar nga vendimi i qeverisë amerikane është krejt ndryshe nga çdo zhvillim politik në të shkuarën. Është një proces drastic, i ngjashëm me prerjen e “Nyjës Gordiane”, e cila ka ndarë përfundimisht palët kush është nga njëra dhe tjetra anë. Ndarje që do të ndikojnë natyrisht në të ardhmen e politikës shqiptare, e të opozitës-përkatësisht Partisë Demokratike në këtë rast. E sipas gjasave, është e lehtë të parashikohet se si do të shkojnë gjërat: ai që qëndron me Berishën nuk mund të jetë veçse një aktor periferik apo “ushtar” i një kauze që është më shumë hall. Siç në fakt ka ndodhur me deputetët që ju bashkuan foltores e tani nuk i pyet askush, përveçse i dërgon Berisha për të ngritur degë paralele me strukturat aktuale të PD-së në rrethe.
Këtë sinjal duket se e kanë kuptuar mjaft, edhe nga ish-drejtuesit e PD-së që mbështetën Berishën para 6 marsit, pas largimit të Bashës gjërat po marrin rrjedhë të ndryshme, e që po shikohet edhe në rreshtimin e grupit parlamentar.
Por “Non Grata” nuk ka shkaktuar tronditje vetëm në PD, por edhe tek e majta, si dhe përtej saj. Pasi SHBA, përveç Sali Berishës, ka ndëshkuar me “titullin”: “person a non grata” edhe Adriatik Llallën, Tom Doshin e Vangjush Dakon. Të cilët nga aktorë e faktorë, sot janë derivate, e që secili ka sjellë me ndëshkimin e tij një pasojë të rëndësishme në pjesën që ka zënë në të shkuarën; që nga drejtësia e në politikë. E kjo nuk është veçse fillimi i një lëvizje të re tektonike…