Gjatë takimit trepalësh në Tiranë mes Ministrave të jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, shefi i diplomacisë italiane Paolo Gentilioni është pyetur në lidhje me shkrimet e botuara në Corriere della Sera, të cilat e etiketonin kryeqytetin si “zyrën” e rekrutimit të shumë xhihadistëve. Gentilioni tha se asnjë vend nuk është i imunizuar ndaj terrorizmit dhe se përpjekjet për bashkëpunim mes qeverive janë ndërmarë.
“Është një realitet për të cilin asnjë vend nuk ndihet imun, është shumë e rëndësishme të kemi një përgjigje të përbashkët, që të përfshijë strukturat tona të inteligjencës e sigurisë në mënyrë të përbashkët. Jam në një vend ku jetojnë shtetas të feve të ndryshme, që ka një angazhim të rëndësishëm në luftën kundër radikalizimit, dhe që përbën një faktor stabiliteti të rëndësishëm në rajon. Sigurisht që jemi të shqetësuar ndaj këtyre fenomeneve dhe përpiqemi të bashkëpunojmë në nivel qeveritar mes vendeve tona”, tha Gentiloni.
Fokusi i takimit trepalësh është shtrirë më së shumti në forcimin e marëdhënieve me karakter tregtar dhe ekonomik. Realizimi i projekteve që dolën nga Samiti i Vjenës mbetet njëri ndër prioritetet për Serbinë dhe Shqipërinë, teksa Itali është partneri kryesor i dy vendeve.
Një tjetër pikë, ajo e bashkëpunimit në sektorin e gazit ishte e një rëndësie të veçantë në konferencën mes palëve.
“Diskutuam për sigurinë, krizat me të cilat sot për sot përballet pellgu i Mesdheut, arkitektura e sigurisë europiane, dhe kam parasysh krizën e refugjatëve dhe nevojën për vazhdimin e përpjekjeve për t’i bërë ballë të gjithë komponentëve që shpërfaqet veprimtaria e terrorizmit ndërkombëtar dhe lufta që bëjnë vendet tona përsa i përket ekstremizmit të dhunshëm”, tha ministri Bushati.
“Ka një sektor mbi të cilin në mënyrë të veçantë është përqëndruar dhe vëmendja jonë, marrëdhëniet ekonomike dhe sektori i energjisë, i gazit, dhe sigurisht që rajoni Ballkanit perëndimor, sikurse dhe Italia gjenden me përballjen e një situate kundrejt një projekti të rëndësishëm, dhe po punojmë për të gjetur dhe bashkëndajmë projekte të tjera në vijim sikundër është TAP”, u shpreh ministri i Jashtëm i Italisë, Paolo Gentiloni.
“Të mos jemi një rajon si emër, por një rajon në kuptimin e vërtetë të fjalës. Të gjitha këto projekte ku ne marrim pjesë që nga procesi i Berlinit dhe të gjitha strategjitë që kemi projektuar ne, do të qëndrojmë pikë për pikë atyre që kemi rënë dakord. Duhet të gjejmë një mënyrë për financimin e projekteve që t’i bëjmë ato të realizueshme. Gjithashtu na duhet të gjejmë burimet për të financuar këto projekte dhe për t’i realizuar në praktikë”, u shpreh ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç.
Takimet trepalëshe pas Romës e Tiranës do të ndalen në Beograd, për të cilin ministri serb Ivica Daçiç u angazhua ta realizojë në vjeshtë.