Lëvizja Socialiste për Integrim ka kritikuar në mënyrë të hapur qeverinë pas publikimit të Raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nga selia e LSI, deputeti Luan Rama deklaroi se qeveria duhet të kishte dalë me një reagim për Raportin. Po ashtu, ai deklaroi se qeveria duhet të jetë më e përgjegjshme për mënyrën se si e lexon dokumentin e FMN, kur tha se qeveria “duhet të lexojë raportin ashtu siç është shkruar”.
“Qeveria duhet të dilte me një reagim për raportin e FMN. Raporti më i fundit kërkon seriozitet dhe maturi në leximin e tij, sepse sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet jemi ballafaquar me fenomene krizash. Më lejoni të kujtoj krizën e vitit 1997, apo edhe disa qëndrime të mbajtura para disa vitësh në papërgjegjshmëri. Ne ofrojmë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin, për reflektimin e përgjegjshëm ndaj vërejtjeve apo konstatimeve që bën raporti. Edhe njëherë ftoj qeverinë të reflektoj me seriozitet, të reflektoj me përgjegjshmëri, të reflektojë drejtpërdrejt ashtu siç është shkruar raporti. Madje duhet lexuar edhe me më shumë konsistencë se Raporti i Venecias. E ftoj qeverinë të jetë më e përgjegjshme kur është fjala tek shërbimi ndaj qytetarëve”, tha Rama.
Deputeti i LSI renditi një sërë shqetësismesh të shprehura në Raport nga FMN, të cilat sipas tij duhet të trajtohen me shumë kujdes nga qeveria.
“Është i rëndësishëm paralajmërimi për rrezikun financiar, një sirenë alarmi që kërkon reflektim të përgjegjshëm dhe konkret. Një tjetër çështje që tërhiqet vëmendje ka të bëjë me transparencën fiskale, transparenca si standar i komunikimit me qytetarin është vlerë e patjetërsueshme e LSI dhe ne institojmë me të madhe në një standard konstant të qeverisë. Një tjetër çështje është veprimi me konçesionarët. Për LSI partneriteti publik privat është element i rëndësishëm për zhvillimin e vendit, por në këtë partneritet nuk është e rëndësishme të ofrohet vetëm buxheti i shtetit por edhe vet privati të investojë, të jetë bashkëkontribues”, tha Luan Rama.