Aksioni i administratës tatimore kundër evazionit është shoqëruar edhe me probleme të paparashikuara të cilat Ministria e Financave po përpiqet t’i japë zgjidhje.
Një ndër to është edhe falsifikimi i kuponave tatimor nga ana e subjekteve të mëdha të cilët furnizojnë pikat e pakicës.
Shumë tregtarë me pakicë janë ankuar se nuk janë paisur me kupona nga subjektet që marrin furnizime, madje ka pasur edhe raste që janë lëshuar kupona false sipas zv.ministres së Financave Irena Beqiraj.
Ajo deklaroi në një konferencë për mediat se këto kupona nuk janë regjistruar në kasë fiskale, dhe për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi ëhstë gati një platformë e re teknologjike nëpërmjet së cilës do të bëhet deklarimi online në kohë reale.
“Ministria e Financave dëshiron që të ketë një platformë të re teknologjike që mundëson transmetimin në kohë reale jo vetëm të kuponit tatimor, por transaksioneve me shumicë, biznes me biznes. Marrja e këtyre të dhënave në kohë reale, në të njëjtën kohë instalimi i faturës elektronike, që është një kërkesë bashkëkohore por është një kërkesë edhe e biznesit, pasi ul dhe kostot. Gjurmimi i mallit dhe mundësia e llotarisë në kohë reale do të jenë elementë bazë të kësaj platforme dhe që do të ndihmojnë administratën tatimore “, tha Beqiraj.