Epidemiologu Erion Dasho akuzoi Komitetin Teknik të Ekspertëve dhe Institutin e Shëndetit Publik se nuk janë të besueshëm në lidhje me pandeminë, duke e quajtur organ qesharak.
I ftuar në emisionin Debat në A2CNN, Dasho u shpreh se ISHP prej kohësh ka pushuar së qeni një institut i mirëfilltë shkencor, që të japë rekomandime të bazuara mbi evidence.
“Rekomandimet e OBSH mirëpriten nga vendet që kanë dobësi në institutet e tyre përkatëse. Nëse flasim për Shqipërinë, ku ISHP prej kohës ka pushuar së qeni një institut i mirëfilltë shkencor, që të japë rekomandime të bazuara mbi evidenca, dhe ku komiteti i ekspertëve, të më falë doktor Skënderi, sepse ka qenë një nga anëtarët në vendin e duhur në komitet, por pjesa më e madhe kanë kthyer në organ qesharak. Dhe domosdo Shqipëria do të bazohej te informacionet që vijnë nga OBSH”, tha Dasho.
Për këto akuza, replikoi drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili nga ana e tij e akuzoi Dashon se ka motive politike pas qëndrimit të tij. “Sikur të zhvishej nga politika, si specialist është nga më të mirët. Por kur futet te këto interpretimet, e komitetit, ISHP – ku ka qenë edhe vetë pjesë e atij institucioni – që në dy vite e dinë ata se çfarë kanë hequr, çfarë kanë përballuar. Nuk është puna se jam unë këtu dhe të mos më zërë mua emrin me gojë. Por nuk e di, kush nga anëtarët e komitetit nuk e meriton?”, tha Brataj.