I dërguari special i Gjermanisë për rajonin tonë, Manuel Sarrazin, ka deklaruar se gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është rivendosja e një besueshmërie më të madhe në procesin e zgjerimit duke hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Mendoj se gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është rivendosja e një besueshmërie më të madhe në procesin e zgjerimit duke hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe duke liberalizuar regjimin e vizave për Kosovën. Pra, hap pas hapi, këtij procesi duhet t’i rikthehet besueshmëria.
Sa i përket negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Gjermania do të bëjë gjithçka që është e mundur për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë. Ne besojmë sinqerisht në të ardhmen europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian”.
Sarrazin premton se Gjermania nuk do të lejojë destabilizimin e rajonit nga Rusia.
“Gjermania do të bëjë gjithçka për të parandaluar gjërat e këqija që njerëzit e Kremlinit duan që të ndodhin në Ballkanin Perëndimor. Mendoj se është shumë e rëndësishme të tregojmë se Bashkimi Europian, Gjermania, nuk do të lënë hapësirë për rusët në Ballkanin Perëndimor.
Modeli ynë i jetesës, demokracisë dhe lirisë së medias është më bindës për njerëzit e këtij rajoni sesa ajo që ofrojnë rusët apo kinezët. Nuk kam parë që shumë njerëz nga ky rajon të duan të studiojnë në Rusi, shumica prej tyre duan të studiojnë në Bashkimin Europian. Unë vërtet besoj se shoqëritë në rajon duan të bëhen pjesë e familjes europiane. E kuptoj që ndonjëherë dukemi të dobët sepse mund të mos jemi aq mirë sa të tjerët në propagandë, por vlerat tona na bëjnë mjaft të fortë”.
Sarrazin konfirmon se Gjermania do të zhvillojë më tej Procesin e Berlinit, me përkushtim dhe rezultate të frytshme. Sipas tij nuk do të braktiset diçka që mund të jetë dhe ka qenë e suksesshme.
a.r