Hetimet zbulojnë se droni prodhim rus, që u rrëzua më 10 mars në Zagreb përmbante eksploziv. Zyra e Prokurorit të Shtetit dhe ekspertët ushtarakë e policorë kroatë paraqitën sot rezultatet e hetimeve që vijuan prej rreth një muaji.
Droni kishte një mjet të improvizuar shpërthyes. Gjithashtu, në pjesën e kuqe të yllit në krahun e tij dalloheshin e verdha dhe bluja, ngjyrat e flamurit të Ukrainës, vendit të pushtuar nga Rusia që nga data 24 shkurt.
Manovrat e uljes i nisi jo shumë larg kryeqytetit të Kroacisë, por ekspertët thanë se nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse Zagrebi ishte objektivi e gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që të kenë ndodhur gabime gjatë uljes.
Jurica Iliç nga Zyra e Prokurorit të Shtetit tha se ky hetim është fokusuar në shkaqet e rrëzimit të dronit, ndërsa vazhdon hetimi se kush e ka nisur dhe nga ka ardhur me saktësi. NATO ende nuk është informuar për rezultatet. Droni, gati gjashtë tonë i rëndë dhe i prodhuar në vitet 1980 në Bashkimin Sovjetik kur nuk ishte shpërbërë akoma, u rrëzua mbrëmjen e datës 10 mars.
Nga hetimet u konstatua se bëhet fjalë për një dron zbulues TU-141, që para rrëzimit në Kroaci ka kaluar në hapësirat ajrore të dy vendeve anëtare të NATO-s: Rumanisë e Hungarisë. Në hapësirën ajrore kroate fluturoi për shtatë minuta, me një shpejtësi prej 700 kilometrash në orë dhe në lartësi 1 mijë e 300 metra. Më pas ra në një pyll e fatmirësisht nuk shkaktoi dëme serioze.
/a.r