Nga Bardhyl Reso
Pavarësisht kontributit të vyer të z. Pëllumb Xhufi si historian sidomos për periudhën e mesjetës, për fatin tonë të keq, si shumë shqiptarë e shumë historianë, as ai nuk i ka shpëtuar dot indoktrinimit komunist. Ky fenomen del më në pak sidomos kur ata merren me interpretimin e ngjarjeve historike të Shqipërisë në mënyrë të veçantë ndërmjet dy luftërave botërore.
Si është e mundur që një personalitet i historiografisë shqiptare si z. Pëllumb Xhufi, të krahasojë një kriminel të popullit çeçen, Ramzan Kadyrov, që tradhtoi dhe kauzën e babait të tij në luftën kundër gjenocidit rus, një vegël qorre e Stalinit të ri të Rusisë, Vladimir Putinit, me nacionalistët më të shquar të kombit shqiptar. Për më tepër krahasimi i z. Xhufi, nuk ka asnjë analogji as me kontekstin historik, prandaj unë mendoj se kjo është bërë vetëm nga një mllef i brendshëm kundër nacionalistëve shqiptarë ose nga mosnjohja e thellë e tyre, ose mbase nga një dozë e tejet kaluar e indoktrinimit komunist.
Bazuar në faktet historike lufta ose më mirë agresioni rus në Ukrainë nuk ka asnjë ngjashmëri me ngjarjet historike dhe zhvillimet politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo e bën më bindës faktin që z. Xhufi këtë e ka bërë me qëllim për të diskretituar me tituj artikujsh dashakeqë përpjekjet e nacionalistëve të kombit shqiptar për vetëvendosje dhe për krijimin e një shteti të të gjithë shqiptarëve, ëndrra e parealizuar e disa shekujve. Nëse z. Xhufi nuk do të kuptojë se cilët janë kuislingët e vërtetë të Shqipërisë, unë jo si historian por si një atdhetar, do të mundohem të shpjegoj me argumente dhe fakte historike se cilët janë ata.
Kuislingu më i rrezikshëm dhe fatkeqësisht më jetëgjatë i Shqipërisë ka qenë Enver Hoxha, i pasuar nga dy ndihmësit e tij kryesorë Koci Xoxe dhe Mehmet Shehu, megjithëse edhe këta përfunduan në rradhën e viktimave të tij, si edhe shumë shërbëtorë të tjerë që i kanë shërbyer në periudha të veçanta të sundimit të tij dhe që shumë prej tyre patën fundin e dy ndihmësve të tij kryesorë.
Dikush menjëherë mund të bëjë pyetjen, e dini ju çfarë janë kuislingët? Po, e di shumë mirë. Kjo fjalë hyri për herë të parë në leksikun e gjuhëve evropiane gjatë luftës së dytë botërore nga mbiemri i kryeministrit norvegjez, Vidkun Quisling, (Kuisling) i cili në vitet 1940 drejtoi deri në mbarimin e luftës një qeveri progjermane. Norvegjia ka qenë bazë e rëndësishme e logjistikës gjermane dhe vendi ku shkencëtarët gjermanë punonin për të ndërtuar bombën atomike. Në këtë kontekst të gjitha qeveritë e vendeve europiane që mbështetën gjermanët, njihen historikisht qeveri kuislinge pavarësisht se çfarë aktiviteti politik kanë zhvilluar në atë periudhë. Në dallim me nocionin historik, kuislingët e vërtetë shqiptarë duke filluar nga Enver Hoxha, për të ruajtur pushtetin e tyre gjakatar i kanë shërbyer disa shteteve të huaja duke filluar nga ish-Jugosllavia, dhe vazhduar deri në Lindjen e Largët. Ky është besoj unë një rast unik në historinë botërore, sidomos Shqipëria në mes të Europës e cila për 50 vjet u dashurua me të gjithë diktatorët e lindjes. Në mënyrë të veçantë dua të theksoj, se Enver Hoxha si kuisling, e ka filluar veprimtarinë e tij pa ardhur në pushtet.
Ai që me krijimin e të ashtuquajturës Partia Komuniste e Shqipërisë, ia vuri këtë organizate, që në fillimet e saj, interesave të Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Nuk është nevoja të zgjatem për këtë problem se këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët dhe aq më mirë historianët e të gjitha kategorive. PKSH është legalizuar zyrtarisht pas vitit 1948 pasi Stalini prishi marrëdhëniet me Titon. Deri në këtë kohë PKSH ka qenë një bisht i PKJ dhe praktikisht kanë qenë Miladin Papovici, Dushan Mugosha, Velimir Stojnic etj, ata që kanë drejtuar PKSH. Enver Hoxha gjatë gjithë periudhës së luftës deri në 1948 maskoi PKSH nëpërmjet Frontit Nacional Çlirimtar e pas saj me Frontin Demokratik. Gjatë luftës me urdhër të PKJ Enver Hoxha prishi marrëveshjen e Mukjes që kishin nënshkruar me Ballin Kombëtar dhe forcat e tjera nacionaliste, për të luftuar së bashku kundër pushtuesve. Por jo vetëm kaq, siç pohoi së fundmi historiani Paskal Milo, Enver Hoxha dha urdhër për të luftuar kundër Ballit Kombëtar, duke e çuar vendin në një luftë vëllavrasëse.
Po për çudinë më të madhe historianët e indoktrinuar nga propaganda komuniste, luftën për pushtet të dy forcave politike, me pikëpamje diametralisht të kundërta nuk e quajnë luftë civile. Fatkeqësisht këtyre historianëve iu është dhënë detyrë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë të rishkruajnë historinë e kësaj periudhe të trazuar për fatet e kombit shqiptar.
Cilat mund të jenë rezultatet kur vetë kryetari i akademisë z.Skënder Gjinushi, ish-komunist, djali i një gjenerali komunist, si matematicien, jep postulatin që në Shqipëri nuk ka patur luftë civile, por vetëm luftë Nacional-Çlirimtare. Z.Gjinushi, ju e dini më mirë se sa unë, se postulate ka në shkencat ekzakte, në histografi ka fakte dhe interpretime të tyre të zhveshura nga çdo ideologji. Faktet e Luftës së Dytë Botërore u dukën qartë që në fund të vitit 1943, luftën po e fitonin aleatët dhe qëllimi i tyre ishte që kjo luftë të përfundonte sa më parë. Fakti që Italia fashiste kapitulloi, dhe trupat gjermane filluan të tërhiqen nga territoret e okupuara prej tyre, përfundimi i luftës ishte çështje kohe.
Megjithatë ushtarakët anglezë kishin bindjen se për çdo ushtar armik të likuiduar, lufta mbaronte një minutë përpara, prandaj misionet e tyre ushtarake në vendet e Ballkanit inkurajonin në çdo mënyrë luftën partizane në prapavijat e ushtrisë gjermane. Tërheqja e trupave gjermane nga Greqia nëpërmjet Shqipërisë përfundoi në nëntor të vitit 1944. Forcat partizane u futën në Tiranë dhe sipas vendimeve të marra në Kongresin e Përmetit dhe në Pleniumin e Beratit, u formua qeveria e parë komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha.
Por pa arritur mirë në Tiranë filluan reprazaljet kundër personave të dyshuar të rrezikshëm për qeverinë e ardhshme. U ekzekutuan pa gjyq intelektualë të shquar, gazetarë, ish-oficerë të ushtrisë shqiptare, si edhe shokë te Enver Hoxhës, qe ai i konsideronte armiq të tij.
Mbaj mend baballarët e moshatareve te mi, Orhan Sakiqi dhe Jani Xhumari te cilët i vranë te dera e shtëpisë në nëntorin e 1944-ës. Vëllezerit Selfo e të tjerë kundërshtarë politikë, u vranë në bodrumet e Hotel Kontinental në Tiranë. Pasi komunistet erdhën në pushtet nga viti 1945 deri në fund të vitit 1947 nuk kishin të mbaruar gjyqet e popullit për të dënuar të gjithë kundërshtarët politikë nga ata që i quanin bashkëpunëtorë me okupatorin, të cilët qëndruan në Shqipëri duke qenë të bindur se ata nuk kishin bërë asnjë veprimtari antikombëtare, madje shumë prej tyre e kishin ndihmuar Shqipëri në mënyra të ndryshme.
Duhet theksuar se prapa çdo vendimi për të eliminuar të gjithë nacionalistët dhe patriotët shqiptarë ishte UDB ( shërbimi sekret jugosllav) me agjentin kryesor në Shqipëri Koçi Xoxe i cili pas Enver Hoxhës është kuislingu numër dy i Shqipërisë. Dua të përmend këtu faktin që edhe vetë Enver Hoxha, i ka shprehur mjekut dentist,
Skënder Topulli, dyshimin që kishte se survejohej nga Koçi Xoxe dhe agjentët e tij. Më kujtohet një intervistë që kam dëgjuar rreth viteve 1970 në kanalin e dytë të TV jugosllav, nga Vukmanovic Tempo, një nga drejtuesit e rëndësishëm të PKJ që merrej veçanërisht me marrëdhëniet me Shqipërinë, i cili tha shprehimisht:
Ne me Shqipërinë punonim me dy kanale: një ishte ndërmjet Titos dhe Enver Hoxhës dhe tjetri ndërmjet Rankoviçit dhe Koçi Xoxes. Por ata që i njohin zhvillimet politike të ish-Jugosllavisë, në periudhën 1945-1955, e dinë mirë që klani serb i Rankovicit në atë periudhë, deri në largimin e tij nga postet drejtuese të PKJ-së, ka qenë më i fortë se klani kroat i Titos dhe Kardelit. Fakt i cili vërteton se Enver Hoxha në prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, nuk ka qenë i qetë nga frika e Koçi Xoxes, jo vetëm se ai drejtonte Ministrinë e Brendshme, por kishte edhe postin e sekretarit organizativ të partisë, pra numri dy i partisë pas Enver Hoxhës.
Është për t’u përmendur edhe një fakt tjetër shumë i çuditshëm. Koçi Xoxe tërë bashkëpunëtorët dhe ndihmësit e tij kryesorë në Ministrinë e Brendshme, i kishte shumicën shule (sllav-bullgaro-maqedonas) dhe minoritarë grekë, si Kristo Themelko, Vanko Mitrojorgji etj. Krimet dhe torturat çnjerëzore që ata i kanë bërë intelektualëve, nacionalistëve dhe patriotëve shqiptarë janë të përbindshme, mjafton vetëm të njihesh me arkivat e gjyqit të deputetëve ose të sabotatorëve të Maliqit, për të nxjerrë në dritën e diellit se cilët kanë qenë kuislingët e vërtetë të Shqipërisë të cilët vunë në shërbim të interesave të Jugosllavisë, jo vetëm jetën e bijve të ndershëm të Kombit shqiptar por edhe pasuritë e shqiptarëve.
Nëpër dyqanet e Beogradit dhe Zagrebit shiteshin ,në vitet 1946-1948, mallra të cilat qeveria komuniste ia sekuestroi tregtarëve shqiptarë dhe ia dërgoi si ndihmë internacionaliste popujve vëllezër të Jugosllavisë të cilët, ndërkohë, hiqnin shinat e hekurudhave të tyre të vjetra për të ndërtuar hekurudhat e para në Shqipëri.
Vetë , me fondet e akreditura për dëmet e luftës, vendosnin shinat e reja dhe ato të vjetrat së bashku me disa vagona dhe lokomotiva të shekullit të 19-të ia dhuronin
popullit vëlla shqiptar. Nuk kanë fund veprimet e qeverisë komuniste në dëm të shtetit shqiptar duke barazuar monedhat e dy vendeve në dëm të lekut shqiptar. I dhuruan jugosllavëve, sasira të konsideueshme monedhash floriri të konfiskuara prej tregtarëve dhe qytetarëve të pasur shqiptarë.
Të na e shpjegojnë historianët e shquar shqiptarë se cilat janë veprimet e një qeverie kuislinge? Këto të qeverisë komuniste apo të qeverive shqiptare të periudhës së okupacionit 1940-1944. të cilët emetuan monedhën kombëtare në të gjithë territorin e shtetit shqiptar të asaj periudhe (përfshirë edhe Kosovën) në një kohë që të gjitha shtetet e pushtuara nga gjermanët, përdorej vetëm marka e okupacionit. Pa qenë nevoja të zgjatem me zhvillimet politike dhe ekonomike të periudhës 1946-1948 dashuria e madhe e komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë mori fund.
Enver Hoxha si gjithnjë nuhatës i situatës së krijuar pas prishjes së marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, duke i mbajtur me shpresa jugosllavët për miqësinë e përjetshme në mes popujve, filloi prapaskenat për eliminimin e Koci Xoxes me ndihmën e ambasadorit sovjetik në Tiranë, i cili e bindi këtë të fundit të linte postin e ministrit të Brendshëm, duke ia lënë këtë detyrë ndihmësit të tij të besuar Kristo Themelkos.
Ndërkohë u zhvilluan punimet e Kongresit të Parë të PKSH. Koçi Xoxe u shpall armik i partisë dhe i popullit, dhe iu faturuan të gjitha krimet e kryera nga qeveria e Enver Hoxhës, duke e akuzuar se veprimet e tij ishin bërë pa dijeninë e partisë. Mendoi se kështu do të lante duart si Pons Pilati. Pas vendimeve të kongresit të partisë, postin e ministrit të Brendshëm e mori një tjetër kriminel, Mehmet Shehu, që unë pa ndrojtje e quaj kuislingun numër tre të Shqipërisë.
Mehmet Shehu, komandanti i parë i brigadës së parë partizane në periudhën 1946-1948 ishte lënë pothuajse në hije por aktivitetin kriminal të tij, e kishte filluar që gjatë luftës. Duke pasur këshilltar kryesor Dushan Mugoshën, i ka shërbyer me zell vetëm urdhrave të tij. Do të tregoj një nga krimet monstruoze të kryera nga brigada partizane që drejtohej prej tij, vrasjen e 64 robërve ballistë në Myzeqe, pasi me urdhër të Enver Hoxhës filluan luftimet kundër çetave balliste.
Me urdhër të Mugoshës Mehmet Shehu detyroi të gjithë robërit të ulnin pantallonat dhe me një ekzaminim banal veçuan burrat të cilët ishin bërë synet, dhe më pas i vranë. Deri ku shkon marrëzia e këtij krimineli i cili ishte dhe biri i një Shehu, i vrau të gjithë ballistët myslimanë, për t’i bërë qejfin komunistit ortodoks antishqiptar, kriminelit Dushan Mugosha. Janë po aq rrëqethëse krimet që ka bërë Mehmet Shehu pas luftës në zonën e Mirditës ku nuk kurseu as gratë duke i futur mace në çitjane, godisnin macet që të çirrnin kofshët e grave.
Nuk mund të rri pa përmendur pushkatimin pa gjyq në provokacionin nga vetë sigurimi i shtetit për bombën e hedhur në murin rrethues të ambasadës sovietike. Krimet e kryera në dëm të popullit shqiptar kanë vazhduar në forma të ndryshme gjatë gjithë periudhës së qeverisjes komuniste, në fillim duke eliminuar ajkën e intelektualëve dhe nacionalistëve shqiptarë, duke shkatërruar ndjenjën kombëtare dhe përfundimisht duke indoktrinuar të gjithë popullin me dashurinë për partinë dhe shokun Enver. Nga krimet pa fund të kryera gjatë disa dhjetëvjeçarëve ai u shndërrua në një kriminel serial paranojak sa filloi të eliminojë me radhë të gjithë shokët që kishte bashkëpunuar tërë jetën për të mbajtur në këmbë regjimin më të egër diktatorial në Evropë. Por komandanti i lavdishëm që nuk e kishte menduar vdekjen asnjë herë, mbylli sytë.
Pinjollët e tij komunistë e mbushën Shqipërinë me shtatoret e bustet e diktatorit duke menduar se hijet e tyre do ta mbanin gjallë diktaturën komuniste në Shqipëri. Zhvillimet politike të fund shekullit të 20 i dhanë fund një herë e përgjithmonë diktaturave komuniste në Evropën Lindore. Për ironi të fatit në Shqipëri nuk ka më diktaturë komuniste, por ka mbetur një indoktrinim i tejskajshëm komunist si dhe mendësi komuniste në mënyrë të veçantë në interpretimin dhe analizën e të gjitha zhvillimeve politike, ekonomike, e sociale që po e lë vendin tonë në një tranzicion të pafund. Megjithatë unë jam i mendimit se vetëm nëpërmjet disa shkrimeve është e vështirë të japësh të gjitha argumentet dhe faktet bindëse për të ndriçuar të vërtetat.
Unë mendoj se për të vlerësuar figurat e rëndësishme të kombit shqiptar duhen gjykuar çfarë aktiviteti kanë ato figura në interes apo në dëm të shtetit shqiptar si në fushën politike, ekonomike, sociale dhe për çdo aspekt të jetës shoqërore. Unë jam gati që me zotin Xhufi apo me cilin do tjetër historian të bëjmë një debat për këto probleme por unë sigurisht jo në rolin e një historiani por të një patrioti nacionalist ku në bazë të ideologjisë time kam ndërgjegjen kombëtare dhe jo ideologji të tjera që janë për fat të keq në mendjen e shumë shqiptarëve.
Nuk di nëse z. Pëllumb Xhufi do të pranojë të bëjmë një debat miqësor për këto probleme prandaj do t’i lutesha të më tregonte se cilat janë dëmet që i kanë sjellë kombit shqiptar ish-kryeministrat apo ministrat e qeverive shqiptare gjatë periudhës së okupacionit si psh, Mustafa Kruja, Maliq Bushati, Mehdi Frashëri, Ibrahim Bicaku, Pater Anton Harapi, Xhevat Korca, Lef Nosi, Bahri Omari, etj dhe konkretisht çfarë krimesh kundër popullit shqiptar janë bërë me urdhër të tyre. Në mënyrë të veçantë se çfarë dijenie ka në mënyrë të veçantë për Bahri Omarin për të cilin unë mendoj që ka bërë vetëm një gabim të madh, që nuk ia dorëzoi Enver Hoxhën gjermanëve, se me një
veprim të tillë do të kishte shpëtuar Shqipërinë nga krimineli më i madh i popullit shqiptar dhe do ta kishte shpëtuar këtë popull nga “epoka e krimit” më monstruoz në trojet shqiptare./dritare.net