Sali Berisha e ka cilësuar si të mirë mbledhjen e gjatë në selinë blu, ndërsa nuk hezitoi të sulmojë kryetarin e grupit Enkelejd Alibeaj, me të cili pati sot debate të forta. Në një deklaratë për mediat, Berisha e quajti si të vetëshpallur kryetar Alibeajn, ndërsa tha se tentativat e tij për të manipuluar grupin dështuan.
Megjithatë, ish-kryeministri vlerësoi se në mbledhjen e sotme pati mendime racionale.
“Kontrastonte i vetëshpalluri kryetar i PD. Nisur nga një psikologji e tillë duke besuar se është kryetar PD u përpoq në mënyra vulgare të manipulojë edhe grupin, por dështoi në çdo përpjekje. Tani, propozime konstruktive prej të cilave që nesër do të fillojë bashkëpunimi dhe verifikimi. Pati ide mjaft racionale.
Mund t’’ju them se pas kaq orësh diskutime u pasurua shumë mendimi i PD për situatën e dhënë, dhe natyrisht siç u informova për shkak të qëndrimit të tij ndaj PD të padisë me urdhër të Edi Ramës unë e njoftova se pushon së paturi besimin e Komisionit të Rithemelimit për të qenë në krye të grupit. Kjo e mërziti edhe më shumë por realitet janë jo gjithnjë të ëmbla. Ishte një mbledhje shumë e mirë. Deputetët u përpoqën të japin çdo kontribut”, deklaroi Berisha.
Sakaq, i pyetur nëse do të tërhiqet nga zgjedhjet në degë, propozim ky nga shumica e deputetëve, Berisha u shpreh: “Janë rreth 5 mijë seksione dhe kërkojë grupe të shumta oditi për të verifikuar mënyrën si është kryer procedura. Kjo procedurë kënaq plotësisht pretendimet e çdo njërit. Shtytja për një kompleks rrethanash është e pamundur. Por koha që kemi është plotësisht e mundur për të verifikuar gjithçka”.
/b.h