Midis shumë pikëpyetjeve rreth luftës katastrofike të Rusisë në Ukrainë, një nga më të dukshmet ka të bëjë me tensionet në rritje midis presidentit rus Vladimir Putin dhe shërbimeve të tij të sigurisë dhe ushtrisë. Lufta filloi kur Putin mbajti para kamerave një takim të këshillit të sigurisë, në të cilin ai e poshtëroi Sergei Naryshkin, shefin e shërbimit të huaj të inteligjencës, për entuziazmin e pakët që po shfaqte mbi pushtimin.
Dy javë më vonë, ndërsa forcat ruse po përballeshin me shumë humbje dhe me një rezistencë të papritur nga ukrainasit, Putin vendosi në arrest shtëpie 2 gjeneralë të Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë (FSB), dhe nisi një hetim mbi të dhënat e dobëta të shërbimit, dhe mbi keqpërdorimin e fondeve të caktuara për krijimin e grupeve pro-Kremlinit në Ukrainë.
Po ashtu Putin detyroi një zëvendëskomandant të Gardës Kombëtare të jepte dorëheqjen, sërish për shkak të një hetimi penal. Në fillim të muajit prill, një nga gjeneralët e FSB që ishte në arrest shtëpie u transferua në burgun Lefortovo. Më pas ishte radha e ushtrisë.
Për gati 2 javë në muajin mars, në mesin e zërave se Putini ishte i tërbuar me përparimin e ngadaltë të pushtimit, Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, fytyra publike e luftës dhe përgjithësisht i konsideruar si një nga ushtarakët më të besuar të Putinit, u zhduk nga skena publike.
Kur më në fund u rishfaq, fillimisht në pamjet video të një takimi të këshillit të sigurisë dhe më pas personalisht në një konferencë për shtyp në Ministrinë e Mbrojtjes, ai u duk i zymtë dhe i dobësuar. Në fund të marsit, shërbimet sekrete amerikane sugjeruan, se Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka dhënë Putinit një panoramë të qartë rreth luftës, ndoshta nga frika e pasojave të mëtejshme.
Ndërkaq më 9 prill, Putini e riorganizoi zinxhirin e komandës ushtarake, duke emëruar gjeneralin Alexander V.Bortnikov në krye të operacioneve në Ukrainë. Në pamje të parë, këto zhvillime sugjerojnë një ndryshim mbresëlënës.
Në vitet para luftës, siloviki, siç njihet në gjuhën ruse elita ruse e forcave të sigurisë, kishte qenë një nga qendrat kryesore të pushtetit të regjimit të Putinit. Duke qenë vetë një ish-oficer i KGB-së, Putini është mbështetur prej kohësh tek shërbimet e sigurisë për të zbatuar politikat e tij, dhe për ta ndihmuar në ruajtjen e pushtetit.
Dhe ndonëse vitet e fundit siloviki-t janë lënë disi në hije nga Ministria e Mbrojtjes e drejtuar nga Shoigu, Putin nuk është shfaqur kurrë kaq i ashpër me shërbimet e sigurisë dhe ushtrinë sa është sot. Duke pasur parasysh goditjen gjithnjë e më të pamëshirshme të Putinit ndaj këtyre njerëzve dhe ndërgjegjësimin në rritje në Moskë se lufta ka shkuar shumë më keq nga sa pritej, disa analistë po pyesin se edhe sa kohë do t’i tolerojnë ata gabimet e tij katastrofike.
Por pyetje të tilla, anashkalojnë marrëdhëniet historike midis forcave të sigurisë dhe shtetit rus, dhe mënyrën e veçantë mbi të cilën Putin ka ndërtuar themelet e pushtetit të tij. Edhe pse zhvillime e fundit janë të rëndësishme, ato nuk sugjerojnë një çarje më të madhe të rendit ekzistues.
Edhe në mesin e tensioneve aktuale, shanset që anëtarët kryesorë të elitës së sigurisë apo asaj ushtarake të mund të bëjnë një lëvizje kundër Putinit mbeten të pakta. Prandaj, ia vlen të merret në konsideratë pse është kështu, dhe çfarë duhet të ndodhë që të ndryshojë situata.
Për të kuptuar pse siloviki nuk kanë shumë gjasa të ngrihen kundër Putinit, duhet së pari të kuptojmë marrëdhëniet historike midis ushtrisë dhe shtetit. Historikisht, ushtria ruse nuk ka paraqitur kurrë ndonjë kërcënim të madh për sundimtarët e këtij vendi.
Në dallim nga shoqëritë e tjera shumë të militarizuara, në Rusi ka pasur shumë pak grushte shteti të suksesshme nga ana e ushtrisë apo qoftë edhe tentativa. Hera e fundit që ushtria ruse nisi një rebelim të hapur ishte në vitin 1825, kur Dekamrbistët (një lëvizje politike e kohës) u përpoqën ta rrëzonin Carin Nikolla I.
Revolta dështoi dhe shumica e udhëheqësve të grushtit të shtetit u vranë ose internuan. Vetë ushtria ruse nuk ka krijuar qendra alternative të pushtetit, si për shembull në formën e Oficerëve të Lirë të Egjiptit, të cilët e rrëzuan mbretin Faruk në vitin 1952.
Dhe kjo jo nuk për shkak të mungesës së përpjekjeve. Në disa raste që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, grupe veteranësh ushtarakë kanë kërkuar që të fitojnë pushtet politik, por kanë dështuar në çdo rast. Gjatë viteve 1990, para se Putin të ngjitej në pushtet, qeveria ruse ishte e dobët, dhe Kremlini u detyrua të ruante balancat midis grupeve konkurruese.
Ndonjëherë, kjo gjë çoi në përpjekjet e anëtarëve të ushtrisë për të fituar ndikim, apo edhe për të rrëzuar qeverinë. Në tetorin e vitit 1993, një grupim ish-veteranësh sovjetikë që e quanin veten Unioni i Oficerëve morën pjesë në një revoltë ultrakonservatore.
Por ata u arrestuan përpara se të niste rebelimi. Katër vjet më vonë, gjeneral rus Lev Rokhlinu u largua me dëshirë nga ushtria dhe krijoi partinë e tij politike të quajtur Lëvizja në Mbështetje të Ushtrisë, e cila synonte të merrte nën kontroll Kremlinin. Ai fitoi shumë shpejt popullaritet, por në vitin 1998, bashkëshortja e tij e qëlloi për vdekje gjatë një grindjeje familjare në vilën e tyre.
Vrasja shkaktoi teori të shumta konspirative, por një gjë u bë e qartë: lëvizja e Rokhlin nuk i mbijetoi dot vdekjes së tij. Nga ana tjetër, Rusia nuk ka më ndonjë forcë të rëndësishme opozitare. Kundërshtarët politikë të Putinit ose janë vrarë (si Boris Nemtsov, që u vra pranë Kremlinit në vitin 2015), ose janë futur në burg (si Alexei Navalny nga janari 2021), ose të detyruar të mërgojnë (si thuajse të gjithë bashkëpunëtorët e Navalny, apo edhe një numër në rritje ish-miqsh të Putinit si Vladimir Milov, ish-zëvendësministër i energjisë, Sergei Alexashenko, ish-zëvendësministër i financave, madje edhe Andrei Kozyrev, ish-Ministër i Jashtëm i Rusisë).
Edhe në ato pak raste kur anëtarët e ushtrisë e kanë sfiduar Putinin, janë ndalur me lehtësi. Për shembull, në vitin 2005 Vladimir Kvachkov, një kolonel në pension i shërbimit sekret të ushtrisë ruse, u përpoq të vriste Anatoly Chubais, ekonomistin rus që njihej si “babai” i programit të diskutueshëm të privatizimeve gjatë viteve 1990.
Në fillim të viteve 2000, Chubais mbeti pranë Putinit dhe gëzonte ende mbështetjen e tij. Grupi i Kvachkov shpërtheu një bombë në anë të rrugës dhe e goditi makinën e Chubais me armë automatike, por atentati dështoi dhe ish-koloneli u burgos. Kur u lirua, hyri sërish në poilitikë por pak më vonë u arrestua sërish nga FSB.
Por përveç eliminimit sistematik të forcave opozitare nga Putin, ka edhe një arsye më të thellë strukturore mbi paaftësinë e ushtrisë për të sfiduar realisht Kremlinin. Gjatë epokës sovjetike, policia sekrete e mbante ushtrinë nën vëzhgim të rreptë.
Që në vitin 1918, më pak se një vit pas Revolucionit Bolshevik, CHEKA, paraardhësja e KGB-së, formoi një njësi që monitoronte kundërshtarët brenda Ushtrisë së Kuqe. Kjo vigjilencë vazhdoi nën sundimin e Stalinit dhe pasardhësve të tij. Çdo divizion kishte celula të Partisë Komuniste, dhe KGB-ja krijoi një forcë të madhe të kundërzbulimit për të spiunuar ushtrinë.
Dhe kur u shemb Bashkimi Sovjetik, KGB-ja u rindërtua kryesisht si FSB, dhe kjo e fundit ka sot të njëjtën seli qëndrore në Moskë, Lubyanka famëkeqe, dhe ndjek shumë nga të njëjtat praktika të dikurshme. Agjentët e FSB-së janë shumë të pranishëm në ushtrinë ruse. Ka rregulla që përcaktojnë sesa agjentë të FSB-së duhet të caktohen për çdo njësi ushtarake dhe çdo objekt ushtarak. Në luftën në Ukrainë, roli zyrtar i FSB-së është të sigurohet që trupat ruse të mos sabotohen apo sulmohen pas shpine. Agjentët e FSB-së janë gjithashtu përgjegjës për vendosjen e kontrollit politik mbi territoret e pushtuara, duke përfshirë qytetet dhe zonat që kanë rënë nën kontrollin rus.
Por ata gjithashtu mbajnë një sy vigjilent mbi vetë trupat. Me një mbikëqyrje të tillë të pandërprerë, ushtria ruse nuk ka prodhuar kurrë oficerë të tillë që të mund të udhëheqin një revoltë efektive. Por çfarë ndodh me vetë burrat e FSB-së? Siç ka treguar vetë regjimi i Putinit, ndryshe nga ushtria, KGB-ja ka nxjerrë një nga udhëheqësit më të fuqishëm të vendit që nga koha e Stalini.
Prandaj është e sigurt që kërcënimi më i madh për Putinin mund të vijë nga agjencia, fuqitë e së cilës ai i ka forcuar vazhdimisht gjatë viteve të fundit. Por FBS ka një traditë të dobët të rebelimit dhe ka qenë shumë e prirur ndaj korrupsionit. Ndërkohë ata janë të vetëdijshëm se mund të jenë subjekt i goditjeve të Putinit po aq sa kushdo tjetër.
Nga Andrei Soldatov & Irina Borogan – “Foreign Affairs”, Bota.al