Një aktivitet korrupsioni që ishte organizuar mirë dhe funksiononte prej kohësh. Këtë ka zbuluar SPAK për atë që ndodhte në Pikën Kufitare të Morinës në Kukës, ku janë arrestuar dhjetëra punonjës.
“BalkanWeb” ka zbardhur një pjesë të dosjes, ku sipas Prokurorisë punonjësit përfitonin shumë të ndryshme deri në 400 euro nga ata që kryenin kontrabandë apo rezultonin në TIMS të kërkuar, apo nuk donin të regjistroheshin. Prokuroria deklaron se janë 313 rastë të dokumentuara të korrupsionit me pamje filmike audio e video.
Gjykata çmon se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se personat nën hetim Laert Sulo, Ani Hoxholli, EMilton Hasllanaj, Halim Shehu, Arben Kastrati, Arjan Sokoli, Dashnor Braha, Elidjana Toçila, Endrit Uka, Fatri Isiberi, Fatri Braha, Gëzim Duraku, Haqif Halilaj, Kapllan Dogjani, Mimoza Shahinaj (Ismailaj), Muhamet Cengu, Rezarta Lako, Urim Lami (Elezi), Vehbi Nerguti, Vojsava Selmani, Xhuliana Maksutaj, Ylber Hoxha, Bedri Duraku, Avni Tershalla, Arben Goçi, Shpëtim Cenaj, Atli Jashati dhe Sule Onuzi, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim. Kjo për arsye:
Së pari, personat nën hetim, me veprimet e mosveprimet e tyre në periudha të ndryshme kohore, bazuar edhe në porositë e kryera në formë favoresh, nga shtetas të ndryshëm lejonin kalimin e kufirit të shtetasve pa u regjistruar në sistemin TIMS, kryen kërkime në sistemin TIMS për persona të cilët mund të paraqesin rrezikshmëri shoqërore, të cilët i kontrollonin dhe jepnin informacione nëse janë në kërkim apo jo. Veprime të cilat kryhen kundrejt marrjes së ryshfetit duke u takuar më pas me këta shtetas. Po ashtu, paraqiten raste ku për shkak të kompetencave që i jep detyra funksionale, ushtron ndikim tek vartësit e vet për favorizimin dhe mosregjistrimin e shtetasve në kufi siç janë rastet e cituara më sipër kundrejt përgjegjësave të turnit, Emilton Asllanaj, Artan Redhaj dhe Ani Hoxholli, ku në vijim këta puinonjës në kundërshtim dhe në shkelje të plotë të ligjit kanë kryer veprime për kalimin në kufi të shtetasve, pa u regjistruar në sistemin TIMS apo duke iu shmnagur kontrollit kufitar.
Së dyti, nga aktet e administruara është evidentuar veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të policisë kufitare të lartëpërmendur gjatë ushtrimit të funksionit të tyre në Pikën Kufitare Morinë Kukës që konsiston në marrjen e ryshfetit në 313 raste të dokumentuara me pamje filmike audio e video, nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të përgjimit të bisedave në kabinat e kontrollorëve në hyrje të Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë Kukës. Nga hetimi janë grumbulluar të dhëna se në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë Kukës nga ana e punonjësve të policisë kufitare që kanë kryer shërbimin, me detyrë Trupë Shërbimi, Ndihmës Specialist Kontrollor, Përgjegjës Turni, Shef Stacioni i Policisë Kufitare kanë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme veprime korruptive duke kërkuar dhe marrë ryshfet personave të ndryshëm, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë përfituar shumë të konsiderueshme në euro.
Shuma e përfitimit rezulton nga 350 euro deri në 400 euro, ndonjë ditë shkon edhe më tepër…bazuar në llojin e veprimit të kundraligjshëm që kryhet nga punonjësi i policisë, siç është konstatuar tek rastet e lejimit të mallrave kontrabandë dhe shmangies së kontrollit të vijës së dytë, ku drejtuesi i automjetit është konstatuar të lërë ryshfet në shumën 200 euro për një kalim. Për veprimin e mosregjistrimit të shtetasve në sistemin TIMS, pavarësisht nëse ka apo nuk ka probleme të regjistruara në sistem, pagesa varion nga 60 euro deri në 70 euro për person, kur ka pasur disa persona, deri në tre, pagesa ka rezultuar deri në 300 euro. Po ashtu, për veprimin e kundraligjshëm të lejimit të shtetasve të huaj për udhëtimin e tyre drejt Shqipërisë, në mungesë të dokumentacionit të vaksinimit ose në mungesë të autorizimit nga pronari për përdoruesin e mjetit, pagesa varion nga 5 euro, 19 euro, 20 euro për person. Po ashtu, pagesat për veprimin e moregjistrimit të automjeteve të shtetasve të ndryshëm në kufi, të cilat në shumë raste rezulton se janë automjete me problem, si dhe personave që i transportojnë këto automjete, variojnë nga 50 euro deri në 100 euro për person.
Së treti, nga aktet është evidentuar mekanizmi i kryerjes së këti jaktiviteti të kundraligjshëm nga ana e punonjësve të policisë gjatë shërbimit të turnit të tyre, ku çdo përgjegjës turni në përfundim të shërbimit ditor cakton një punonjës policie me detyrë kontrollor, i cili mbledh shumën e ryshfetit nga secili punonjës në shërbim. Nga kjo shumë që nxirret si formë ryshfeti dhe ekziston dyshimi i arsyeshëm se ndahet në mënyrë të veçantë pjesa për Shefin e Stacionit të Policisë dhe pjesa për Drejtorin e Qarkut. Secili përgjegjës turni ka grupin e tij të punës, zgjedh punonjësit që atij i duken të përshtatshëm për të punuar, me qëllim sigurimin e përfitimeve sa më të larta.
Sipas prokurorisë, marrja e ryshfetit është kthyer në qëllimin kryesor të qëndrimit në detyrë.
Së katërti, personi nën hetim Klevis Salkurti ka hyrë në biseda dhe tenton të bëjë kompromise me qëllim përfitimin material në formë monetare për vete dhe për persona të tjerë duke negociuar për mbylljen e çështjes së Robert Saraçit, të cilit i është kapur automjeti me mallin kontrabandë./ BW
g.kosovari