Një banesë është shkatërruar plotësisht pas shpërthimit të një bombole gazi. Kryefamiljarja, Gjyste Luka, 67 vjeçe, ka mbetur e lënduar nga shpërthimi dhe është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim të specializuar.
Në pamjet e siguruar nga Gazeta Panorama, shikohen dëmet e mëdha që ka shkaktuar shpërthimi i bombolës dhe banesa është rrënuar tërësisht.
Kryefamiljari tregoi se bombolën e kishte vendosur në punë pasditen e së premtes, pas kthimit nga Amerika ku kishte qëndruar rreth një muaj.
Mark Luka tha për mediat se “bombola ishte gjysmë e konsumuar, por e kisha mbyllur në mënyrë hermetike sepse u largova një muaj në Amerikë”.
Gjatë mbrëmjes së të premtes, ata kishin gatuar në sobë, ndërsa në mëngjes kur 67-vjeçarja ka shkuar ta ndezë bombola ka shpërthyer.
Luka tregoi se bashkëshortja e tij ka marrë dëmtime në fytyrë: “Dy netë më parë erdha nga Amerika, dje shkova në Lezhë të blija disa ilaçe për gruan, të paguaja taksa e drita. Në darkë vendosa bombolën, e provova me shkrepëse përjashta. Në darkë bëri një pilaf, ndërsa në mëngjes kur u zgjua ajo shkoi të ndezë gazin. Unë isha në verandë tek shtëpia tjetër, kur dëgjova një shpërthim.
Thashë se ra tërmet, e tundi. Gruaja më thirri: O Mark. Menjëherë shkova drejt saj. Çdo gjë ishte e shkatërruar. Ajo ka marrë dëmtime në fytyrë, është e zbehtë, kishte djegie. Akoma nuk e dimë si është gjendja e saj. Bombolën e vendosëm dje pasdite, funksionoi mirë.
Se provova a ka rrjedhur gjatë natës, se jashtë bombola ishte e hapur. Kur e ndezi atëherë shpërtheu. Lajmërova ambulancë, erdhi edhe policia. Bombola ishte gjysmë e konsumuar, por e kisha mbyllur në mënyrë hermetike sepse u largova një muaj në Amerikë, kur u ktheva. Banesa ishte e re, është ndërtuar në 2019-ën”.
Ndërsa një banor rrëfeu momentin, duke thënë “Shpërthimi ishte i njëjtë me atë të Gërdecit, ishte shumë i fuqishëm. E pabesueshme kjo gjë”./m.j