Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka deklaruar gjatë punimeve të Kongresit të PS-së se Kosovës po i bëhet një padrejtësi e madhe nga vendet BE-së, duke mos i liberalizuar vizat.
Xhaçka u shpreh se Shqipëria ka prioritet kryesor Kosovën në politikën e saj të jashtme, ndërkohë që ka theksuar se liberalizimin e vizave do e trajtojë në Këshillin e Sigurimit.
Ndërkohë që i ka kthyer përgjigje dhe kritikëve të nismës së Ballkanit të hapur që sipas saj nuk e zbeh rolin e Kosovës në rajon.
“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral duke lobuar për njohje e për mbështetje për njohje apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE dhe vendet anëtare duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë.
E them këtë, sepse e di, e besoj të gjithë e dimë e mund ta bisedojmë hapur si miq, që puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën.
E vërteta padyshim s’është kjo sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët.
Ana tjetër, është dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi. Kjo padyshim nuk do të thotë që të harrohet e shkuara. Kjo do të thotë që të shohim nga e ardhmja për ta kërkuar aty adresimin e problemeve të së shkuarës. Një e ardhme që mund ta ndërtojmë së bashku duke replikuar një eksperiencë të suksesshme që ne e dimë, atë të Bashkimit Europian. Por si mund të replikohet kjo eksperiencë në rajonin tonë pa përfshirë në të shqiptarët e serbët, që janë dy popujt më të mëdhenj që përcaktojnë prej shekujsh historinë e rajonit? A nisi Bashkimi Europian me Gjermaninë e Francën, armiq shekullorë me luftëra me miliona viktima, apo me Irlandën dhe Greqinë?”, thekson Xhaçka.
g.kosovari