Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës për PS, Erion Veliaj deklaron se Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë mund të jetë çdo burrë ose grua që luan nje rol përbashkues në vend dhe jo si Presidenti aktual. Duke folur për News 24, para punimeve të Kongresit socialist, Veliaj foli për karakteristikat që duhet të ketë kreu i ri i shtetit.
“Secilit i është propozuar që të jape tre emra. Besoj se do të duhet të shkëputemi nga një situatë ku ne kemi tani nje president qe shihet në publik si stërkëmbëshi kryesor i qeverisë. Bllokohen dekretet, bllokohen ambasadorët. Si përfaqësues i qytetit, si kryetar bashkie, më qëllon që të jem shumë në forume ndërkombëtare dhe shumë veta thonë: a ka diçka që nuk shkon me Shqipërinë, që janë ende ne detyre ambasadorët nga 6, 7, 8 vjet? Fakti që janë krijuar ngërçe të tilla, nuk e ndihmon vendin. Fakti që njerëzit janë përçarë në këto 5 vitet e fundit, ndërkohë që duhet të ishte simbol i bashkimit nuk e ndihmon vendin. Fakti që kemi krijuar konflikte të panevojshme, sidomos me SHBA, me armiq imagjinarë, me dronë dhe çudira, nuk e ndihmon vendin. Kështu që, në mendjen time, një president apo presidente e mirë – se nuk do e përjashtoja që ka ardhur koha edhe për një presidente zonje – do të ishte dikush diametralisht i kundërt me atë aktualin.
Në qoftë se Ilir Meta kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur, duke i shpallur luftë Amerikës, na duhet dikush që i shëron këto plagë dhe ne sillemi si një shtet serioz. Ne nuk mund të jemi aleat kryesorë në nivel kryeministri dhe pastaj, armiq në nivel presidenti. Kjo nuk mund të ndodhë sepse në një vend serioz ka një linjë që ndiqet në një marrëdhënie dhe në një raport special. Çdo president burrë apo grua, që është diametralisht i kundërt me këto lloj anomalish, do e sillte në normalitet edhe institucionin që kemi në anën tjetër të bulevardit”, deklaroi Veliaj.
g.kosovari