Nga Dritan Hila
Ka një muaj që Berisha ka marrë frenat e opozitës. Shkon në selinë e PD, bën mbledhje, jep direktiva dhe bën deklarata. Ndërkohë PD e Alibeaj duket e sfumuar. Ajo që mund të thuhet tashmë për forcën më të madhe opozitare është se teknikisht nuk ekziston si një formacion normal politik.
Berisha vetë, ka një vendim gjyqësor të diskutueshëm dhe ende në proces, të mbështetur në një miting, i cili nuk ka asnjë bazë juridike. Kurse krahu tjetër vuan mungesën e vetëbesimit dhe lidershipit. Por që gjithsesi nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ajo që është kuptuar deri tani ka qartësuar se mbështetësit e Bashës nuk kanë ndërmend të bashkohen me Berishën. Qoftë për faktin se nuk mund të pranojnë një bashkim ku pala tjetër e ofron vetëm si poshtërim të mëtejshëm, por edhe sepse janë të bindur që në atë formacion që nxorri foltorja nuk kanë të ardhme.
Ndërkohë foltorja ngjan me një lëvizje të dëshpëruar që ka moto “nuk dihet ç’bën Zoti, se ç’a sjell dita nuk sjell moti”. Rezultati është se të paktën për një kohë të gjatë kundërshtarët e PS nuk përbëjnë kërcënim për pushtetin. E vetmja gjë, e cila e shqetëson Ramën, janë idetë që tashmë nuk i pret nga opozita dhe as nga forca që drejton. Qetësinë ia japin edhe sondazhet që megjithëse e tregojnë në masën 40% të pëlqyeshmërisë publike, pra më pak se forca që drejton, konkurenti që e ndjek është Berisha por me vetëm gjysmën e tij, pra 20%.
Ndaj edhe kërcënimet e Berishës dhe Metës ngjajnë me atë që ecën natën në pyll dhe këndon për t’i nxjerrë frikën vetes, sesa të trembin Ramën. Pasi të gjithë kundërshtarët e Ramës nuk kapin as 30% të pëlqyeshmërisë publike, ku futet edhe Basha.
Vetëm një vit larg përplasjes elektorale të rradhës, mbledhjet e Berishës në seli më shumë sesa serioze janë një lojë “luajmë partiash”. Nuk trembin realisht askënd por zbavisin shumëkënd nga ata që kanë nerva ta ndjekin.