Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas finalizimit të operacionit të SPAK në Pikën Kufitare të Morinës.
Në një postim në faqen e tij në Facebook, kreu i qeverisë përgëzon bashkëpunimin mes Prokurorisë së Posaçme dhe SHÇBA, duke e cilësuar operacionin që çoi në arrestimin e dhjetëra policëve si shembullor.
“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit! Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, shkruan Rama.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”./m.j