Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim me kreun e policisë italiane, Lamberto Giannini, i cili ndodhet në Tiranë për tryezën e përbashkët me drejtuesit e Policisë së Shtetit.
“Me Italinë kemi jo thjesht ura, por autostrada bashkëpunimi do të thoja, që dukshëm kanë dhënë rezultate të matshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht për trafikun e drogës. Skuadrat e përbashkëta hetimore kundër grupeve kriminale dhe terrorizmit janë një histori suksesi dhe dëshmi domethënëse e profesionalizmit të oficerëve tanë dhe e besueshmërisë që ka sot Policia e Shtetit te partnerët tanë”, shprehet Çuçi.
Në vijim Ministri i Brendshëm thekson se krahas monitorimit të hapësirës ajrore që bëjnë italianët për luftën kundër kanabisit, do të shtohet së shpejti edhe kontrolli përmes satelitit.
“Vlerësojmë shumë monitorimin ajror që Italia i bën territorit tonë për parandalimin e kultivimit të kanabisit, monitorim të cilit do t’i shtohet së shpejti edhe kontrolli ynë përmes satelitit”.
Çështje tjetër e diskutuar me kreun e policisë italiane, ishin edhe programet e përbashkëta të edukimit të oficerëve tanë në Itali, si dhe trajnimi i punonjësve të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.