Në Romë, fuqia e mafias shqiptare është nënvlerësuar. Kjo afirmohet edhe nga eksperti i kriminalistikës, Vincenzo Musacchio. “Ata veprojnë sot në terren duke përdorur dhunën dhe korrupsionin, janë të heshtur, të orientuar drejt tregut dhe të vështirë për t’i luftuar. Ata që menduan se ishin vetëm të dhunshëm, të shëmtuar e të pistë, e kishin gabim. Ata (mafia shqiptare) janë inteligjentë, të këqinj dhe oportunistë”, është shprehur më tej eksperti sipas asaj që shkruan media italiane Rai News.
Musacchio është ekspert kriminologjie, jurist dhe bashkëpunon me Institutin Rutgers për Studimet Anti-Korrupsion në Newark të SHBA. Ai është marrë në një intervistë nga media italiane Rai News ku ka folur posaçërisht për krimin shqiptar në Itali.
Ekziston mafia shqiptare në Romë?
Për ekspertin jo vetëm që ekziston, por po luan një rol ndryshe dhe jo thjesht si ndjekës siç ka ndodhur në të shkuarën. Musacchio merr si shembull një ngjarje në plazhin e Romës në Torvaianica më 20 Shtator 2020 kur u vra shqiptari Selavdi Shehaj.
“Për ata që studiojnë fenomenin e mafias, ajo ngjarje kishte një qëllim të saktë. Klanet shqiptare duan që të llogariten më shumë në punët kriminale në “qytetin e përjetshëm”. Dy vjet kanë kaluar që prej asaj ngjarje. Mafia shqiptare po ashtu është përfshirë në ekzekutimin e Fabrizio Piscitelli, i njohur si Diaboliku, i vrarë me një plumb në kokë kur qëndronte ulur në një stol në Romë. Po shohim vrasje me mesazhe. Sinjali është pa mëdyshje: Ne ekzistojmë gjithashtu”, është shprehur eksperti.
Po e “kolonizojnë” klanet shqiptare kryeqytetin italian?
Eksperti italian nuk është i këtij mendimi, megjithatë shton se aktualisht në Romë “mafia shqiptare llogaritet më shumë se në të shkuarën”. Sipas Musacchio-s, në të shkuarën, ata kontrollonin sheshet ku shpërndahej droga, ndërsa sot merren me furnizimin, prodhimin dhe paketimin në Shqipëri, gati për ta shitur dhe konsumuar më pas në Romë dhe provincat e saj.
“Nuk është më një territor ku përpara vrasjeve shqiptarët duhet të kërkonin leje. Pas boshllëqeve në pushtet dhe aleancave të reja mes klaneve italo-shqiptare, sot mund të derdhin gjak dhe të mos kenë frikë nga pasojat brenda klaneve, pra nga kryengritjet e anëtarëve, apo edhe nga vëmendja mediatike”, u shpreh ai.
Sipas tij, shqiptarët janë prezentë në disa rajone historike, Primavalle, Ponte Milvio, San Basilio e deri në brigjet e Ostiense.
Çfarë nënkuptojnë ekzekutimet e Fabrizio Piscitellit, i njohur si Diabolik, Selavdi Shehaj dhe të Adrian Paskut, me shumë mundësi kryer nga shqiptarët
Gjithnjë sipas ekspertit, mafia shqiptare ka përdorur metodat e vjetra dhe fillimisht e ka shënjuar territorin e saj me armë, dhunë e pastaj korrupsion. Kështu ka hyrë në aleanca. Musacchio thotë se Roma rrezikon me të vërtetë që të dominohet nga mafiat e reja.
“Mendimi im për këto çështje është se janë vrasje për të treguar zonat e reja kriminale. Nuk pati asnjë hakmarrje pas këtyre ekzekutimeve flagrante. Kjo do të thotë se vrasjet kanë qenë të përshtatshme edhe për klanet e tjera që vepronin në Romë”, tha ai.
Si është bërë e fuqishme mafia shqiptare në Romë
Mafia shqiptare, sipas asaj që shkruhet në versionin online të Rai News, ka shumë pushtet në prodhimin dhe trafikun e drogës në të gjithë Europën. Edhe në Itali është e njëjta gjë. Sipas ekspertit, përgjatë viteve, shqiptarët kanë forcuar pozitat sepse kanë prodhuar dhe shitur drogë. Për pasojë kanë bërë fitime marramendëse.
“Furnizimi vjen direkt nga Shqipëria, dhe portet janë të menaxhueshme”, tha Musacchio.
Sipas tij, shqiptarët u shesin drogë mafiave në Calabria, Campania dhe Siçili. Kjo ka bërë që shqiptarët të krijojnë një monopol absolut në trafik dhe mafiat e tjera të vendosin pakte me shqiptarët.
“Lideri i klanit qëndron në Shqipëri, ku legjislacioni antimafia i favorizon”, tha Musacchio.
A do të zgjasin paktet?
Sipas Musacchio-s jo vetëm që do të zgjasin marrëveshjet, por me kalimin e kohës do të konsolidohen. Shumë shpejt sipas tij, do të shohim që këto pakte do të zënë rrënjë në territorin e Romës.
“Roma tashmë është toka edhe e mafias shqiptare. Dominanca e tyre rrezikon të përhapet si shpërthimi i një zjarri”, u shpreh eksperti.
Ndryshimi mes mafias shqiptare dhe asaj italiane
Kriminologu thotë se mafia shqiptare ruan karakteristikat “tradicionale” (disiplinë e ngurtë e brendshme, mbyllja ndaj të huajve, papërshkueshmëria, besueshmëria dhe potenciali i lartë i frikësimit) me elementet “moderne” (ndërkombëtarizimi, ngulitja ekonomike dhe kontaktet e ngushta me politikën).
“Fuqia e tyre ekonomike dhe në armatim vjen pothuajse e gjitha nga prodhimi dhe trafiku i drogës. Sipas DIA-s, krimi i organizuar shqiptar, mbetet një nga më aktivët dhe më të rrezikshmit në të gjithë Italinë”, tha eksperti.
Lidhja e klaneve shqiptare me disa familje italiane mafioze në Itali
Musacchio tha se në vitin 2015 ka patur bisedime mes një grupi kriminal të drejtuar nga Fabrizio Piscitelli pjesë e së cilës ishin edhe elementë shqiptarë si Elvis Demçe me anëtarët e klanit italian Casamonica.
Kjo e përfshiu mafian shqiptare në një aleancë në brigjet romane të Ostias. Por sot gjërat kanë ndryshuar. “Shqiptarët kanë drogë, dinë gjuhën mirë, dinë territorin dhe dinë si të lëvizin. Klanet në brigjet romane varen nga sasia e drogës që marrin dhe kjo i ka vënë shqiptarët në një pozicion superioriteti”, u shpreh eksperti.
Sipas ekspertit autoritetet ligjzbatuese duhet që të ndërhyjnë në mënyrë muldimiensionale, me operacione policore, arrestime, konfiskime të aseteve etj. Megjithatë, Musacchio sheh si zgjidhje edhe zgjimin e ndërgjegjes civile të qytetarëve.
“Në Romë është shumë e rëndësishme që të nisë një edukim mbi ligjshmërinë dhe rritjen e ndërgjegjes civile në shkolla dhe shoqërinë civile, duke përfshirë mbi të gjitha gjeneratat e reja”, shtoi ai duke cituar edhe Giovanni Falcone-n se “njerëzit harrojnë që suksesi i mafias është për shkak se paraqitet si model suksesi”.
/a.r
Ky shefi qenka vete shqiptar arberesh. Pasardhes i Muzakajve..