Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin George Robertson. Gjatë takimit, Mustafa shprehu mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe dhe kontributin që Lordi Robertson ka dhënë për Kosovën në periudhën e luftës dhe në proceset e mëtejshme në Kosovë.
Kryeministri theksoi se ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës janë ngjarje të jashtëzakonshme historike, të cilat u finalizuan falë vendosmërisë së burrështetasve të mëdhenj në SHBA dhe Britani të Madhe dhe drejtuesve të NATO-s, ku rol të posaçëm pati edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Lordi George Robertson.
“Republika e Kosovës është sot shtet demokratik, sovran dhe i pavarur falë përkrahjes që populli jonë dhe lufta e tij çlirimtare mori nga shtetet demokratike nga vendet lidere të botës demokratike, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe vendet tjera evropiane pjesë e Aleancës Veriatlantike, e cila udhëhiqej nga Lordi George Robertson”, theksoi kryeministri.
Ndërkaq, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lordi George Robertson, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë, duke çmuar përkushtimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për zhvillimin e vendit dhe për stabilitetin rajonal.
Lordi Robertson theksoi rëndësinë që ka për Kosovën zhvillimi i përgjithshëm i demokracisë, duke veçuar nevojën për stabilitet dhe debat politik përmes mjeteve demokratike.