Zbulimi i masakrave ndaj civilëve në Buça pritet të ashpërsojë edhe më tej sanksionet perëndimore ndaj Rusisë. Administrata Bajden vendosi të ndalojë përdorimin nga Rusia të rezervave prej 600 milionë dollarësh, që ka në bankat amerikane për t’iu shlyer kredidhënësve amerikanë, detyrimet financiare që Moska ka ndaj tyre për borxhin sovran.
Ekspertët e Uashingtonit parashikojnë që kjo masë t’a çojë drejt falimentimit ekonominë ruse. Në paketën e sanksioneve të vendosura më herët si ndëshkim ndaj Rusisë për sulmin e nisur më 24 Shkurt në Ukrainë, parashikohej ngrirja e të gjitha aseteve të bankës qëndrore të Rusisë në institucionet financiare amerikane. Paketa përjashtonte vetëm mundësinë e shfrytëzimit të rezervave monetare ruse për shlyerjen e borxhit sovran ndaj kredidhënësve të lidhur me Shtetet e Bashkuara.
Shtetet europiane, po ashtu kanë paralajmëruar ashpërsimin e sanksioneve ndaj Moskës, si ndëshkim për masakrat në Buça. Edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Kliçko kërkoi nga aleatët perëndimorë vendosjen e sanksioneve.