Presidenti i vendit Ilir Meta, ndodhet në Bullgari ku po zhvillon disa takime zyrtare. Sot, Meta është takuar në Sofje dhe me homologun bullgar Rumen Radev, të cilit i ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë perspektivës europiane të Shqipërisë.
“Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të ishin shumë të rëndësishme miratimi i kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nga ana e Bashkimit Europian, sa më parë, ashtu sikurse edhe vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, shkruan ndër të tjera presidenti.
Ndërkohë, krahu i tij i djathtë Edmond Panariti ka ndarë një foto gjatë pasdites me Ilir Metën dhe “zbulon planet” e këtij të fundit pas përfundimit të detyrës. “Pas një dite intensive, një shëtitje me Presidentin në parkun e Sofies duke biseduar edhe për 25 Korrikun”, shkruan Edmond Panariti, drejtor i Kabinetit në Presidencë.
Se çfarë po përgatit presidenti, kjo mbetet për t’u parë muajt e nxehtë të verës.
Mandati i presidentit Ilir Meta përfundon më 24 korrik 2022. Nga deklaratat publike që ka bërë, ai ka thënë se mezi pret të përfundojë detyrën si president për t’u rikthyer te populli i 2 marsit. Pak ditë më parë Monika Kryemadhi tha se Meta do të jetë ideatori i një lëvizje të re.
/a.r