Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba ka thënë në një deklaratë për mediat së fundmi se masakra që është parë në Bucha, Ukrainë është vetëm maja e ajsbergut.
“Situata në Bucha nuk është asgjë krahasuar me Mariupolin. Masakra që është parë aty është vetëm maja e ajsbergut,”- është shprehur Kuleba.
Gjatë një konference për shtyp në Varshavë me Sekretaren e Jashtme Liz Truss, ai tha se “Ukraina e fitoi betejën për Kievin, por lufta vazhdon”.
Ndër të tjera në fjalën e tij Dmytro Kuleba konfirmoi se Ukraina po përgatitet për ofensivën e re në shkallë të gjerë, nga Rusia në Ukrainën lindore.
“Ata do të përpiqen të kapin më shumë territore në rajonet e Donetsk dhe Luhansk. Ata do të përpiqen të nguliten dhe të zhvendosen në rajonin e Khersonit, do të përpiqen të kapin Mariupolin e gjakosur“,shpjegoi Kuleba.
Gjithashtu gjatë konferencës për mediat Kuleba ka tronditur me deklaratën e tij ku theksoi se situata në Mariupol është shumë më e keqe në krahasim me atë që kemi parë në Bucha, qytete të tjera, apo qyteza dhe fshatra afër Kievit, teksa theksoi se tmerret e Bucha, Mariupol apo dhe vendeve të tjera kërkojnë sanksione serioze të G7 dhe BE-së.
“Unë vlerësoj gjithçka që është bërë deri më tani, por Liz (Sekretarja e Jashtme Liz Truss) ka të drejtë”, tha Kuleba.
Gjatë konferencës, Truss bëri thirrje që Rusia të pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe tha se nuk duhet të “bisedohet” për heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë ndërsa trupat vazhdojnë të ndodhen në Ukrainë.
/b.h