Nga Enver Robelli
Një ditë pasi bota u trondit nga pamjet e civilëve të vrarë nga forcat ruse në Buça dhe vendbanime të tjera afër Kievit, makineria propagandistike ruse ka mohuar gjithçka. Në një deklaratë bizare një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Rusisë i akuzoi SHBA-të dhe partnerët e saj perëndimorë se “i kanë porositur” pamjet në Buça për të fajësuar Rusinë.
“Kush janë mjeshtrit e propagandës? Natyrisht Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, tha Maria Saharova, zëdhënëse e MPJ-së ruse. Sipas të dhënave të autoriteteve ukrainase në Buça dhe rrethinë supozohet se janë vrarë rreth 400 ukrainas, shumica e tyre civilë. Fotografitë e shpërndara nga mediat ndërkombëtare zbulojnë përmasën e tmerrit. Gra e burra të groposur shpejt e shpejt, kufoma me duar të lidhura, të vrarë me plumb në zverk, kufoma nëpër rrugë e trotuare. Për Rusinë gjithçka propagandë!
Ka diçka të përbashkët mes propagandës ruse dhe asaj serbomadhe në fillim të viteve 90-të. Vëzhguesve të vëmendshëm mund t’ju kujtohet lajmi i rrejshëm i mediave serbe se “ekstremistët myslimanë” kishin grabitur fëmijë serbë dhe ua kishin hedhur luanëve të kopshtit zoologjik në Sarajevë. Me një rast tjetër televizioni i serbëve të Bosnjës kishte njoftuar “mbi terrorin kundër serbëve të njohur të Sarajevës” dhe vrasjen e Svetozar Vujoviqit, drejtorit të Klubit Futbollistik “Sarajeva”. Edhe kjo ishte rrenë, siç dëshmuan mediat e Sarajevës me fotografi. Në shkurt 1994 dhe në gusht 1995 forcat serbe goditën tregun Markalle në Sarajevë dhe me atë rast vranë dhjetëra civilë. Edhe sot propaganda serbe përpiqet të “dëshmojë” se masakrën e kanë kryer forcat boshnjake.
Një shembull i propagandës serbe është mohimi i masakrës së Reçakut në Kosovë, të kryer nga forcat serbe. Presidenti i sapo zgjedhur serb, ministrat e tij dhe shumë përkrahës, përfshirë mediat paramilitare, përsërisin me ngulm toksik se masakrën në Reçak e ka inskenuar shërbimi sekret amerikan për të krijuar një pretekst për ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë. Në kuadër të kësaj fabule thuhet se të vrarët në Reçak nuk ishin civilë, por kryengritës të armatosur që u vranë në përleshje me forcat serbe dhe se ata ishin veshur me rroba civile pas vrasjes. Mjekët forenzikë nga Finlanda të prirë nga Helena Ranta e kanë hedhur poshtë këtë version dhe kanë dëshmuar se viktimat janë vrarë nga afërsia.
Në lidhje me bombardimin e Dubrovnikut nga armata jugosllave e dominuar nga serbët gazeta “Politika” shkruante se “luftën në këtë pjesë e sollën paraushtria kroate, gardistët dhe legjionarët e zinj, rrugaçët dhe vrasësit ndërkombëtarë, të tubuar rreth Tugjmanit për rroga të majme dhe kundër popullit paqedashës të Malit të Zi dhe Bosnjës”. E vërteta ishte se ushtria serbe po bombardonte një qytet mesdhetar të mbrojtur nga UNESCO.
Gjithkund propaganda e regjimeve autoritare i ka dy qëllime: t’ia hedh fajin “armikut të jashtëm” dhe të mobilizojë opinionin vendor. Në Serbi propaganda e televizionit shtetëror RTS në vitet 90-të ka pasur gjithsesi efekt. Se deri ku shkon marrëzia kur mileti bie pre e propagandës, tregon ky shembull të cilin e përmend shkrimtarja kroate Dubravka Ugreshiq në librin e saj “Kultura e gënjeshtrës”: në vitet 90-të gjithandej nëpër televizionet e Ballkanit emitohej seria venezuelase “Kasandra”. Në njërën nga seritë Kasandra përfundoi në burg dhe kjo shkaktoi një shqetësim aq të madh te banorët e qytezës serbe Kuçevo, saqë ata nënshkruan një peticion (200 nënshkrime!), të cilin ia dërguan kryetarit të Venezuelës me kërkesën që Kasandra të lirohet menjëherë. Pastaj i dërguan letër Vatikanit me lutjen që Kasandra të shpallet e shenjtë dhe Tribunalit të Hagës i kërkuan që Kasandrës t’i mundësohet një gjykim i drejtë në Serbi”. Nuk e kishin kuptuar se Kasandra ishte burgosur në film, jo në jetën reale.