Gjykata e Lezhës ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kreun e njësisë administrative Kallmet, Besnik Simoni dhe 41-vjeçarin Altin Marku.
Mësohet se gjyqtari Artan Hajredinaj pranoi kërkesën e prokrurorit Françesk Ganaj që ata të qëndrojnë në burg.
Bëhet me dije nga njoftimet zyrtare se seanca u zhvillua në spitalin e Traumës në Tiranë. Kjo sepse të dy shtetasit e akuzuar po marrin mjekim, për shkak të plagëve të marra nga përplasja me armë ditën e premte në fshatin Kallmet.
Policia ka njoftuar zyrtarisht se mes administratorit dhe autorit të ngjarjes, Altin Marku, ka pasur shkëmbim zjarri. Kjo pasi edhe Marku, i cili u arrestua pas disa orësh kërkimi, është i plagosur. Edhe ai është dërguar në spitalin e Traumës.
Administratori Simoni ka marrë 3 plumba pistolete. Zyrtarisht policia ka thënë se ngjarja u regjistrua pas një sherri që dyshohet të ketë nisur në zyrën e Njësisë Administrative mes Simonit dhe Markut.
Ky i fundit dyshohet se pas konfliktit verbal, e ka ndaluar në rrugë zyrtarin dhe më pas e ka qëlluar atë disa herë./m.j