Komisioni Kuvendor i Ligjeve rrëzoi Dekretin e Presidentit të Republikës Bujar Nishani për ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”. Argumentat e paraqitura nga përfaqësuesit e presidencës nuk u morën parasysh nga deputetët e mazhorancës të cilët vendosën me shumicë votash rrëzimin e Dekretit.
Përfaqësuesja e presidencësLedina Mandia, e pranishme në seancë deklaroi se qeveria ka dështuar me hartën për pronat.
“Nuk është faji i pronarit se nuk ka hartë. Qeveria ka dështuar me hartën për pronat”, -u shpreh Mandia.
Në dekretin e publikuar më 29 dhjetor, Presidenti parashtron argumentet kundërshtuese ndaj ligjit të ri të pronave, duke theksuar se skema e ofruar përmes tij në zgjidhjen e problemit sistemik dhe të përsëritur të mosekzekutimit të vendimeve për kompensimin e pronarëve, që kanë një vendim administrativ apo gjyqësor, bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe nuk është aspak efektive, siç kërkohet nga Gjykata Europiane e te Drejtave të Njeriut(GJEDNJ).
Po ashtu, sipas presidentit, skema e ofruar përmes këtij ligji në trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.