Qyteti-port i Odesa-s në Ukrainë është zgjuar këtë të diel nga sulmet ajrore të Rusisë. Sipas të dhënave nga ministria e Brendshme në vend forcat ruse sulmuan qytetin mëngjesin e sotëm.
Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen në ajër.
Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi se sulmi është bërë ndaj një rafinerie afte dhe objekteve të magazinimit të karburantit në qytetin port kyç të Ukrainës.
“Këtë mëngjes, raketat me precizion të lartë me bazë deti dhe ajri shkatërruan një rafineri nafte dhe tre depo për karburant dhe lubrifikantë pranë qytetit të Odesa, nga të cilat karburanti u furnizua grupit të trupave ukrainase në drejtimin e Mykolaiv,” thuhet në deklaratë.
Kryebashkiaku i Odesa-s, Hennadii Trukhanov tha se si pasojë e sulmit nuk pati viktima ndërsa shtoi se banesa civilësh kanë mbetur të shkatërruara. Kujtojmë se sulmet vijnë një kohë kur zyrtarët në Kiev paralajmëruan se Rusia po përpiqej të konsolidonte trupat në jug.
/b.h